Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka adresuar kritika të mëdha për Qeverinë Kurti, në veçanti për Ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gervalla.
I pari i LDK-së e ka quajtur si fatkeqësinë më të madhe mënyrën e të udhëhequrit të politikës së jashtme në Kosovë në tri vitet e fundit.
“Fatkeqësia më e madhe që i ka ndodhë Republikës së Kosovës është mënyra se si është udhëhequr politika e jashtme në këto tri vite. Po ju them kështu nga komunikimet që i kemi ne si parti politike me familjen tonë evropiane, EPP…”, theksoi ai, teksa moderatori Adriatik Kelmendi i ndërhyri duke i thënë se “Donika Gërvalla një kuadër i LDK-së”.
“Fatkeqësisht”, ishte përgjigja e Abdixhikut.
Në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, Abdixhiku tregoi edhe disa prapaskena nga bisedat me korin diplomatik evropian. Sipas tij, ky kor tallet me diskutimet e Gërvallës.
“Po ua them kështu prej komunikimeve jozyrtare, diskutimet e ministres sonë të jashtme janë objekt talljeje brenda korit diplomatik evropian”, deklaroi ai.