image Abdixhiku: Çdo devijim nga marrëveshja me njohje reciproke, përgjegjësi e Qeverisë

Politikë

Abdixhiku: Çdo devijim nga marrëveshja me njohje reciproke, përgjegjësi e Qeverisë

news image

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vazhduar ciklin debatues ‘LDK ju dëgjon’, me ç’rast sot ka vizituar qytetarët e komunës së Vitisë, raporton Gazeta Sinjali.

Abdixhiku ka thënë se qëndrimi i partisë së tij për dialogun mbetet po i njëjtë – që në marrëveshjen përfundimtare të jetë njohja e ndërsjellë dhe se çdo devijim nga një marrëveshje përfundimtare me Serbinë që në thelb ka njohjen, është, sipas tij, përgjegjësi e pariparueshme e Qeverisë aktuale.

“Qëndrimi i LDK-së për procesin e dialogut është që duhet të ketë marrëveshje përfundimtare që në thelb ka njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve. Marrëveshja duhet të jetë ligjërisht e ndërkombëtarisht e obligueshme dhe duhet të përmbajë aktin kur Serbia e njeh Kosovën, dhe kur Kosova ndërsjell e njeh Serbinë. Çdo devijim nga ky orientim strategjik është përgjegjësi e pariparueshme e Qeverisë aktuale”, ka thënë ai.

Abdixhiku tuje ka thënë se Kurti ka rënduar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.

“Me veprimet e pamatura, pa qenë i koordinuar në mënyrë të vazhdueshme me aleatë, kryeministri e ka larguar Kosovën nga ky synim. Më 7 shkurt të vitit 2021, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, nëpërmjet një letre urimi, i kishte kërkuar presidentit të Serbisë Vuçiq, arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Kosovën të përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Saktësisht dy vite me Qeverinë Kurti, dhe pozicioni ndërkombëtar i Kosovës duket qartazi i rënduar. Nuk flitet për njohje të ndërsjellë dhe nuk flitet për një marrëveshje përfundimtare. Tani flitet për marrëveshje bazë që nuk e ka njohjen reciproke”, ka thënë Abdixhiku.

Kreu i LDK-së gjithashtu pati kritika për mostransparencën e Kurtit rreth procesit të dialogut.

“Përveç kryeministrit, askush nuk e di se çka po diskutohet. Nuk dihet çka përmban hyrja e marrëveshjes dhe as shtojca e kësaj marrëveshje. Tema të tilla duhet të trajtohen me përgjegjësi dhe nga kryeministri do të kërkohet përgjegjësi”, ka përfunduar Abdixhiku.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të kenë një takim të nivelit të lartë politik në Bruksel më 27 shkurt. Në fokus të takimit do të jetë propozimi franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Siç njoftohet Borrell bashkë me ndërmjetësin evropian, Miroslav Laçak fillimisht do të zhvillojnë takime të veçanta me liderët, pasuar nga një takim i përbashkët.

Borrell ka thënë se shpreson që të dy palët të jenë në gjendje ta pranojnë këtë propozim si rrugë për t’i normalizuar marrëdhëniet mes tyre.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës së djeshme ka thënë se nga ky takim presin të ketë diskutime të mëtutjeshme edhe të ecin mbi bazën e propozimit evropian.

Duke folur për çështjen e Asociacionit, kryeministri tha shpreson që diskutimet të jenë të fokusuara tek nisa franko-gjermane, dhe jo tek “interesat e njërës palë”.

“Në kemi propozimin me iniciativën franko gjermane. Ne presim që të ketë diskutime dhe të ecim përpara në bazën e atij diskutimi. Jo pak varet nga fascilituesit apo ndërmjetësuesit pas ditës së hënë e dimë”- ka thënë Kurti.

/GazetaSinjali/