Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë seancës së sotme të Kuvendit, ka thënë që qeveria nuk ka raportuar rregullisht për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Abdixhiku tha që kryeministri Kurti sot për herë të parë sipas tij po raporton për këtë çështje gjatë kësaj seance.
“Gjatë dy javëve të fundit, kryesisht përmes deklarimeve jashtë rendit të ditës, LDK-ja ka provuar të kuptojë më shumë rreth procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Mungesa e raportimeve të rregullta të kryeministrit para shkuarjeve në Bruksel dhe pas raundeve dialoguese atje, është bërë jo vetëm praktikë e paprecedentë, por edhe refuzim i institucionit më të lartë të vendit, si pjesë e një sjellje të mbyllur, arrogante dhe kryesisht të papërgjegjshme të qeverisë”, ka thënë Abdixhiku.
“Ndonëse e normuar me rezolutë, sponzorizues i së cilës rezolutë gjendet në një tjetër karrige sot, raportimi i kryeministrit në Kuvend, na ndodh sot për herë të parë, besoni ose jo dhe të vetme në dy vite udhëheqje të tij. Kaq pak transparencë, e kaq shumë shpërfillje ndaj përfaqësueseve të popullit – pozitë e opozitë pa dallim nuk ka mundur të tregojë askush, asnjëherë”, tha ai.
Ai theksoi që Kurti nuk ka arritur të realizojë asnjërin prej qëndrimeve të tij.
Abdixhiku pretendoi edhe se Kurti e kishte bërë platformën e dialogut si platformë partiake.
Ndërkohë, Abdixhiku e quajti “populizëm” pozicionin e kryeministrit në lidhje me Asociacionin duke shtuar se ai ose duhej ta shfuqizonte marrëveshjen ose ta zbatonte Asociacionin sipas Kushtetutës së vendit.