image Abbott për dinarin: Rregullorja e BQK-së të mos shihet vetëm si çështje sovraniteti

Politikë

Abbott për dinarin: Rregullorja e BQK-së të mos shihet vetëm si çështje sovraniteti

news image

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Nicholas Abbott në takimin e lamtumirës me Kryeparlamentarin Glauk Konjufca, të cilin e ka quajtur të hapur dhe me humor, ka folur edhe për çështjen më aktuale – rregulloren e BQK-së me të cilën ndalohen pagesat me dinarë në Kosovë.

Abbott shprehet se rregullorja e BQK-së nuk duhet të shihet vetëm si çështje e sovranitetit.

“Ndër temat e tjera diskutuam rregulloren e BQK-së dhe pikëpamjen time se kjo është një çështje që duhet të merret parasysh në aspektin e qeverisjes së mirë dhe marrëdhënieve me komunitetin dhe jo vetëm në aspektin e sovranitetit. Jam i kënaqur që marrëdhëniet mes dy parlamenteve tona mbeten shumë të forta”, ka shkruar Abbott pas takimit që e ka pasur me Konjufcën.

Ndryshe, BQK sot ka dalë me një njoftim të ri për planin me “veprime shtesë të cilat pritet të realizohen në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre (3) muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet tjera financiare’.

Paraprakisht, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se “ditët në vijim” do të zbuloheshin informacione më të plota për periudhën e tranzicionit.

“Qeveria e Kosovës, në kuadër të kompetencave të saj, nuk do të zbatojë asnjë masë ndëshkuese gjatë periudhës së tranzicionit dhe u bën thirrje shtyllave të tjera që të mbajnë të njëjtin qëndrim me përkushtim. Jemi duke punuar për informacione më të plota, të cilat do t’i zbulojmë në ditët në vijim”, shkroi Kurti në “X”.

/GazetaSinjali/