Krahas ndihmave për energji elektrike dhe ushqime, kryeministri malazez në mandatin teknik, Dritan Abazoviq i ka kërkuar ndihmë presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit – blerjen e Kombinatit “Aluminijski”, të cilin, siç duket, ai ia ka premtuar.
Gazeta beogradase, ka mësuar se kryeministri i Malit të Zi ka pasur disa kërkesa politike ndaj shtetit fqinj.
Para së gjithash, Abazoviq kërkoi nga presidenti i shtetit fqinj që të ushtrojë presion mbi Frontin Demokratik, në mënyrë që grupi politik prorus të marrë pjesë në formimin e një qeverie të re, në krye me presidentin e URA-s.
Në rast se nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes së djeshme, befasuese, të palëve fituese në zgjedhjet e 2020 nuk e pranojnë atë, Abazoviq i ka kërkuar Vuçiqit që të sigurojë që ai të marrë pozitën e koordinatorit të të gjitha shërbimeve të sigurisë në qeverinë e ardhshme.
Gjatë takimit në Beograd, dyshja diskutuan një çështje tjetër shumë të rëndësishme për Serbinë dhe Rusinë: si të ndihmohet Rusia të ruajë asetet e saj në Malin e Zi, i cili, për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës, është nën sanksionet perëndimore.
Në këtë kuptim, u ra dakord që Serbia përmes manjatëve të saj të blejë në mënyrë fiktive të gjitha hotelet malazeze në pronësi të rusëve. Në këtë mënyrë Rusia do të ruante një pjesë të pronës së saj në Mal të Zi.
Duket se Abazoviq i shpjegoi presidentit Vuçiq se “deri më tani ai ka arritur të sigurojë që kapitali rus në Mal të Zi të mos shkojë dëm”.
Në përpjekje për të shpëtuar vendin nga telashet e ardhshme, kryeministri në mandatin teknik njoftoi se në vend që të anëtarësohej në BE, do ta sillte Malin e Zi në Ballkanin e Hapur të Vuçiqit dhe kryeministrit shqiptar, Edi Ramës.
Hapi i parë në këtë drejtim është njoftimi i djeshëm i kryeministrit Abazoviq se, megjithëse Mali i Zi nuk është ende zyrtarisht anëtar i Ballkanit të Hapur, ai do të delegojë përfaqësuesin në Grupin e Krizave për sigurinë ushqimore dhe energjetike të asaj nisme.