Deklarata zyrtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës se nuk ka marrëveshje sekrete ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shkëmbim territoresh nuk e ka bindur zëvendëskryeministrin në detyrë, Haki Abazin. Ai ka shpërndarë një deklaratë të John Bolton të para dy viteve, që ishte shkarkuar nga presidenti amerikan Donald Trump.
Abazi e ka shpërndarë sot një lajm të Radio Evropës së Lirë, ku citohet ish-këshilltari i Presidentit Trump për Siguri Kombëtare, John Bolton. Sipas këtij artikulli të publikuar në gusht të vitit 2018, Bolton, tashmë i shkarkuar nga pozita e tij, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë që Kosova e Serbia të arrijnë vetë një marrëveshje të pranuar për të dy palët, dhe që amerikanët nuk largojnënga tavolina as temën e kufijve, nëse palët bisedojnë për të.
“Politikat tona, politikat e SHBA’së, është se nëse dy palë mund të arrijnë mes vete të bëjnë marrëveshje, ne nuk e përjashtojmë as rregullimin e kufirit. Nuk është punë e jona ta themi”, kishte thënë Bolton.
Të enjten mbrëma, përmes një deklarate të përbashkët të të dërguarit të posaçëm të administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett dhe përfaqësuesit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ata kanë mohuar se tanimë ka një marrëveshje ndërmjet presidentëve të të dyja vendeve.
Deklarata është lëshuar në formë njoftimi për shtyp nga Departamenti amerikan i Shtetit.
“Duam ta bëjmë të qartë se nuk ka plan sekret për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë, si kanë spekuluar disa. Përfaqësuesi i posaçëm, Richard Grenell nuk e ka parë dhe as që ka diskutuar ndonjë plan të tillë. Fokusi i Qeverisë së SHBA-së në përkrahjen e marrëveshjeve të kohëmëparshme për kthimin e lidhjeve ajrore, hekurudhore dhe rrugore synon ta përmirësojë gjendjen ekonomike dhe të krijojë momentum ekonomik. Besojmë se ky momentum do të japë energji të re për një proces dialogu që do të rezultojë me njohje të ndërsjellë”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit. /Gazeta Sinjali/