Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, ka reagur pas deklaratës së presidentit të vendit, Hashim Thaçi, e cila erdhi pas postimit të deputetës së VV-së, kur tha se Albin Kurti është i vetmi i cili nuk ka dosje kriminale të UÇK-së.
Abazi ka thënë se presidenti e ka të vështirë të besojë që erdhi dita, ndryshe nga qytetarët të cilët sipas tij e duan dhe e besojnë.
“E kuptoj që Thaçi e ka të vështirë të besoj që Erdhi Dita, por Kosova e ka të qartë dhe qytetarët e duan e besojnë, dhe e mbështesin qeverinë Kurti. Nuk ka kushtrim më të madh, kumbim më të fortë e gjykim më të drejtë se vota qytetare dhe vullneti demokratik. Qytetarët meritojnë përfaqësim të denjë e të sigurt”, ka shkruar zv/kryeministri Abazi në Facebook.
Tutje, Abazi ka thënë se është e domosdoshme që të mos pengohet puna e qeverisë Kurti.
“Është e nevojshme, e domosdoshme që të kuptohet, mos të pengohet dhe të mos vështirësohet puna dhe veprimet e qeverisë”, ka përfunduar Abazi.
Reagim ndaj postimit të presidentit, pati edhe nga ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se Thaçi po nxit urrejtje në emër të UÇK-së. /Gazeta Sinjali/