image AAK për grevën e minatorëve: Shqetësues mosveprimi i Qeverisë, të plotësohen kërkesat e tyre

Politikë

AAK për grevën e minatorëve: Shqetësues mosveprimi i Qeverisë, të plotësohen kërkesat e tyre

news image

Të pakënaqur me kushtet e punës, minatorët e Trepçës, janë futur në grevë që nga 24 tetori. Duke qëndruar në ambiente të ndryshme nën tokë, por duke mos punuar, ata kërkojnë realizimin e pagës mujore me kohë, sigurimin shëndetësor dhe shkarkimin e menaxhmentit të Trepçës, të cilin e fajësojnë për kushtet jo të mira.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkuar nga Qeveria që të veprojë sa më parë dhe t’i plotësojnë kërkesat e minatorëve.

Kështu kanë deklaruar nga AAK në një prononcim për Sinjalin, ku thuhet se pushteti po i sulmon minatorët përmes suspendimeve.

“Është shqetësues mosveprimi e Qeverisë ndaj kërkesave të minatorëve të Trepçës në ditën e nëntë të grevës së tyre dhe njëkohësisht sulmet që i bëhen nga pushteti përmes suspendimeve. AAK vlerëson se kërkesat e tyre janë të drejta dhe legjitime si dhe i kërkon Qeverisë që sa më parë të marrë veprime për plotësimin e tyre.”, thuhet në përgjigjen e AAK-së.

Edhe nga PDK kanë kërkuar që kërkesat e minatorëve të realizohen menjëherë. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, tha se partia e tij është në mbështetje të plotë të minatorëve, duke shtuar se askush nga institucionet nuk i ka vizituar minatorët e Trepçës.

“Ku është Qeveria sot kur minatorët janë në grevë. Asnjë nga institucionet e shtetit nuk i ka vizituar, askush nuk është marrë me ta, asnjë komunikatë zyrtare asnjë raport human sepse janë nën tokë. Pse Qeveria frikësohet të komunikojë me minatorët, kujt po i frikësohet apo është e vetëdijshme se i ka mashtruar keq dhe thellë? I ka mashtruar Qeveria sepse iu ka premtuar investime, zhvillim, rivitalizim, investime në teknologji dhe siguri në punë. Por, asnjë nga këto nuk i përmbajti”, tha Shala për Gazetën Sinjali.

Kompleksi metalurgjik Trepça është shoqëri aksionare: 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë se Kosovës, 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.

Deri në vitet ’90 kur është përkeqësuar situata politike, ajo është llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme. Nga minierat e Trepçës atë kohë janë nxjerrë rreth 600 mijë tonë xehe në vit.

/GazetaSinjali/