Edhe gjatë kësaj parafushate për zgjedhjet e 14 shkurtit, një ndër premtimet kryesore është ngritja e cilësisë në arsim. Sot, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka premtuar investim në arsim, shkruan Gazeta Sinjali.
Kandidati për deputet nga kjo parti, Daut Haradinaj, thotë se me qeverisjen e AAK-së, do të hapen më shumë shkolla me qëllim që Kosova të ketë më shumë kuadro të reja.
“Me AAK-në në qeveri, do të hapen shkollat e reja profesionale, në mënyrë që të kemi kuadro të reja të përgatitura për tregun e punës, e perspektivën për një të ardhme të sigurt ta gjejnë në vendin tonë. Padyshim që rinia jonë e shëndoshë është e ardhmja e forca jonë, kjo forcë rritet edhe më shumë me mbështetjen e madhe që përjetova sot në Gjilan”, shkroi ndër tjera Haradinaj në Facebook.
Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, që është kandidat për president, javën e kaluar prezantoi gjithë programin qeverisës, ku ndër tjera ka folur edhe për arsimin.
Por kujtojmë se arsimi, është një prej temave më të shpeshta që premtohet në çdo palë zgjedhje, megjithatë në testet e performancës Kosova vazhdon të mos renditet mirë.
Së fundmi, testi PISA që ishte paraparë të mbahej këtë vit është shtyrë për vitin 2022. Ministria e Arsimit e kishte konfirmuar se po e shqyrton mundësinë që Kosova të pauzojë pjesëmarrjen deri në vitin 2024 për shkak të rezultateve jo të mira në këtë test.