Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka njoftuar se synon të fillojë procedurat parlamentare për inicimin e amnistisë fiskale, për bizneset e prekura nga situata me COVID-19, shkruan Gazeta Sinjali.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se kjo do të jetë në formë ndihmese për bizneset në Kosovë.
Ai ka bërë të ditur përmes Facebookut se me amnisti fiskale do të tentohet që bizneseve që kanë pësuar nga situata me pandeminë “t’iu lehtësohet operimi ekonomik, në mënyrë që të mos rrezikohet funksionimi i mëtejmë i tyre, i cili do rezultonte në thellimin e krizës ekonomike dhe humbjen e vendeve të punës”.
Masa lehtësuese për bizneset kanë qenë të përfshira në Pakon Emergjente dhe atë të Rimëkëmbjes. /Gazeta Sinjali/