Deputeti i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Ali Berisha ka konfirmuar se Daut Haradinaj do të jetë shef i grupit parlamentar të AAK-së në Kuvendin e Kosovës.
Berisha ka thënë se në të gjitha analizat që janë bërë, Daut Haradinaj është menduar se do të jetë më i duhuri për ta drejtuar Grupin e Deputetëve në këtë legjislaturë.
“AAK tani ka tre deputet më shumë në Kuvend, në krahasim me legjislaturën e kaluar,. Pra kishim 10 dhe tash jemi 13 Deputet. Do të jemi grup dinamik, konstruktiv e parimor. z.Daut Haradinaj ka qenë propozim i përbashkët që e ka marrë mbështetjen nga grupi dhe ne, këtë qëndrim ja kemi prezantuar organeve të partisë dhe kryetarit”, tha Berisha për ‘RADIO 1’.
Berisha ka shtuar se AAK do vazhdojë të mbetet parimore në tema duke dhënë kontributin e saj në Kuvendin e Kosovës.
“Siç edhe e ka potencuar kryeministri Haradinaj, ne normalisht edhe pse kryeministri ka dhënë dorëheqje nga ulësja në Kuvend, në baza ditore jemi në koordinim për të gjitha veprimet tona në Kuvendin e Republikës, konform parimeve dhe qëndrimeve të partisë. Me këtë rast uroj të gjithë të zgjedhurit dhe shpresoi në suksese e punë të mira për Kosovën”, tha Ali Berisha.