Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shkumbin Demalijaj, ka thënë se nuk e di nëse aktivistë të partisë së tyre e kanë gjuajtur me vezë zëvendëskryeministrin Avdullah Hoti.
I kontaktuar nga Gazeta Sinjali, Demalijaj nuk ka pranuar të deklarohet për këtë rast derisa ka thënë se nuk ka ndonjë qëndrim konkret të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Ne jo që e përkrahim taksën, por do ta mbrojmë me çdo kusht. Nuk mundem me fol diçka tjetër deri sa nuk ka ndonjë qëndrim konkret të Kryesisë së Aleancës. Kështu për deklarime individuale nuk mund të flas kurrgjë deri sa të del qëndrimi i partisë”, ka thënë ai për Gazetën Sinjali.
Ndërkaq, kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, gjatë ditës së sotme ka deklaruar se asnjë qytetar dhe simpatizant i AAK-së nuk e bënë një gjest të tillë.
Shkumbin Demalija ka thënë se taksën do ta mbrojnë me çdo kusht dhe se nuk beson se Kurti do të bëjë “gabim historik”, duke e larguar atë.
“Taksa ende nuk është hekë, edhe unë besoj në atë se kryeministri Kurti nuk do ta bëjë gabim për tjera veprime vendoset me konsensus me organet e partisë. Unë e kam thanë edhe vetë se nëse ndërmerren këto veprime, ju jeni duke ja hap derën Serbisë me hy në Kosovë ekonomikisht”, ka thënë ai.
Demalijaj është shprehur se Kosova nuk ka nevojë për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por për njohje të shtetësisë.
“Ne nuk jemi ka flasim për tregti të lirë as marrëveshje të tregtisë së lirë as për çështje banesore as fqinjësorë. Jemi ka flasim se taksa është vendim politik për me u njoftë Kosova shtet nga Serbia. Jo për me i përcaktu çmimet e mallrave sepse edhe aty ne nuk jemi të barabartë. Për veprime ne jemi në Kuvendin e Kosovës, kemi grupin parlamentar…do të reagojmë me atë se nëse zoti Kurti mendon me e bë këtë gabim të madh historik sepse në nuk kemi me çka me dal me fol në bisedime përballë Serbisë, edhe ashtu nuk është ka flitet për njohje, por për normalizim. Ne nuk kemi nevojë për normalizim, ne kemi nevojë për me e njoftë Serbia Kosovën. Sepse për normalizim dihen sjelljet e Serbisë 100 vite e deri tani”, ka thënë ai.
Sa i përket raportimeve se ish-kryeministri Haradinaj ditë më parë ka thënë se “shpresoj që ka me dalë ndonjë i ri dhe ndonjë e re që të mos i lë këta njerëz që të hynë dhe të dalin pa i ngjye me ve”, Demalijaj ka thënë se nuk i ka dëgjuar këto deklarata.
“Nuk kam dëgjuar asi deklarata që duhet me dalë dikush”, ka thënë shkurtimisht ai.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është sulmuar me vezë sot afër ndërtesës së qeverisë. Arsyeja sipas një videoje që qarkullonte në rrjet ishte për heqjen e taksës, e cila është përfolur të ndodhë këto ditë.
Në videon dëgjohet një person duke i thënë “nuk bënë me hjek taksën”. /Gazeta Sinjali/