Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, deklaron se përkundër trendit që vazhdimisht ka largim të mjekëve nga vendi, Kosova nuk do të mbetet pa kuadro mjekësore.
Hoti tha se ministria e Shëndetësisë do të fokusohet të krijojë kushte që profesionistët e ri shëndetësor ta gjejnë veten në vendin e tyre dhe të kenë mundësi edhe të punësohen.
“Ministria e Shëndetësisë ka kontrata me një numër të konsiderueshëm të mjekëve të cilët janë duke ndjekur programin e shkollimit specialistik dhe në kuadër të përgjegjësive apo kontratave që ministria i ka nënshkruar me ta është që ata ta përmbushin orarin prej 40 orëve punë dhe dy kujdestari të cilat i paguan ministria e Shëndetësisë. Sa i përket përgjegjësive të ministrisë së Shëndetësisë ajo i përmbush këto obligime. Fenomeni i largimit të kuadrit mjekësor nuk është diçka që ka prekur vetëm Kosovën. Është duke ndodhur edhe në vende tjera. Ne duhet të fokusohemi të krijojmë kushte që profesionistët e ri shëndetësor ta gjejnë veten në vendin e tyre dhe të kenë mundësi edhe të punësohen. Përkundër trendit që vazhdimisht ka largim të kuadrove nga Kosova shteti nuk do të mbetet pa kuadro mjekësore”, tha Hoti për EkonomiOnline.
Ndërsa, kryetari i Odës së mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, tha se kushtet e punës dhe pagat e vogla kanë bërë që deri në fund të vitit 150 specializantë të largohen nga Kosova.
Tutje, ai theksoi se kanë biseduar edhe me ministrin që të gjendet një modalitet që këto probleme të rregullohen, mirëpo kanë hasur në vesh të shurdhër nga Qeveria.
“Projeksionet tona deri në fund të vitit janë dekurajuese sepse 150 mjekë të rinj do të largohen nga Kosova ku mosha e tyre është 30 vjeç. Te kjo ka arritur edhe me specializime edhe me mos punësimin e mjekëve të rinj. Janë një varg faktorësh që kanë sjellë te këto përshirë kushtet e punës dhe çështjen e mospagesës apo mos lejimit të kujdestarive pjesë e shkollimit në numër shumë të madh të lëmive kirurgjikale është jetike kujdestaria me përballje me emergjencat. Ne kemi biseduar edhe me ministrin që të gjendet një modalitet që këto probleme të rregullohen. Ne do të iu propozojmë që të rregullohej problemi i shkollimit dhe kualitetit të shkollimit përmes metodave ligjore që këta specializantë të paguhen sepse janë të nevojshëm për dhënien e shërbimeve. Pse po largohen specializantët janë kushtet e punës dhe pagat e vogla dhe është kualiteti i specializimeve poashtu mungesa e një perspektive për punësim . Tashmë gjenerata e re është shumë më ambicioze në marrjen e njohurive moderne”, tha Sejdiu.
E kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, thotë se specializantët janë në mesin e politikës dhe është një lojë që iu është bërë shumë e ndyrë.
Sipas tij, që të dy palët janë fajtore edhe specializantët edhe qeveria sepse nuk po arrijnë të gjejnë kompromis.
“Specializantët janë në mesin e politikës dhe është një lojë që iu është bërë shumë e ndyrë për ta. Në një anë kanë marrë specializime dhe kanë kontratat e tyre në anën tjetër e kryejnë një shërbim dhe nuk paguhen. Unë konsiderojë që të dy palët janë fajtore edhe specializantët edhe qeveria. Duhet të ulen në tryezë dhe të gjejnë kompromis. Përveç kushteve të këqija nuk shohin perspektivë dhe me siguri që janë duke ikur. 120 kërkesa janë që të dalin jashtë vendit. Është situatë e rëndë dhe asnjë qeveri nuk e merr seriozisht këtë çështje”, tha Syla. /Gazeta Sinjali/