20 vite pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, ata që kryen krime ende nuk janë ndëshkuar e shteti është larg dokumentimit dhe hetimit të tyre, shkruan Gazeta Sinjali.
Organizatat të cilat merrën me hulumtimet në çështjen e drejtësisë dhe të Drejtave të Njeriut, po konsiderojnë se me kalimin e viteve do të bëhet më i vështirë përfundimi i procesit të hetimeve të krimeve të luftës.
Drejtori në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, ka thënë se edhe pse institucionet e Kosovës nuk kanë pasur kompetenca për ndjekjen e personave që kanë kryer krime lufte, ato është dashur që të krijojnë kushte që Gjykatat të kryejnë punën siç duhet.
“Një ndër to është dashur të ishte që, meqenëse shumica dërrmuese e atyre që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë, nuk gjenden në Kosovë (dhe) jetojnë në Serbi, autoritetet e Kosovës është dashur që të përkujdesen që dialogu i cili ka qenë teknik e pastaj u bë edhe dialog politik, të përshihet edhe tema e bashkëpunimit juridik në mes të Prokurorisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, në mënyrë që të ndiqen penalisht kryesit e krimeve të cilët gjenden në Serbi. Në këtë aspekt mendoj që shteti nuk ka bërë shumë. Nga ana tjetër, edhe në dokumentimin e krimeve të cilat janë kryer gjatë luftës, pak është bërë”, deklaroi Blakaj.
Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci që është edhe e mbijetuara e një masakre që u krye nga forcat serbe, e cila u bë edhe shqiptarja e parë që dëshmoi para një gjykate serbe për çështjet e krimeve, thotë se nuk ka ekzistuar vullnet për të çuar përpara çështjet që lidhen me krimet e luftës.
“Është problematike kjo, sa më shumë që kalon kohë më problem është, kështu që duhet të fillojmë dikur sepse po flitet shumë, është folur shumë dhe mendoj që sinqerisht nëse do të kishte vullnet deri më tani, ndryshe do t’i kishim punët”, tha Bogujevci.
Ndërsa, Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, deklaroi se Kosova do ta ketë të vështirë zbardhjen e krimeve të luftës, pasi që kanë kaluar shumë vite që nga përfundimi i luftës.
“Për vet faktin që jemi 21 vite pas përfundimit të luftës dhe Kosova pothuajse as nuk e ka filluar të përmbushë këtë obligim në zbardhjen e të gjitha krimeve të luftës në Kosovë, atëherë sigurisht që çdo vit që ne humbim nënkupton që Kosova pothuajse do të ketë të pamundur që pas 5 apo 6 vitesh të bëjë diçka lidhur me krimet e luftës në Kosovë”, thotë ai.
Po ashtu, Miftaraj thotë se qeveria e Kosovës duhet që ta hartojë një strategji kombëtare për çështjen e hetimit të krimeve të luftës e që sipas tij duhej të miratohej nga Kuvendi i Kosovës.
Në Kosovë tashmë është e miratuar një strategji për krime lufte nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Por fatkeqësisht vendi ka vetëm tre prokurorë që hetojnë dhe ndjekin krimet e luftës, pranë Prokurorisë Speciale të Kosovës.