Disa me aeroplanë e disa me veturë, mërgimtarët tanë ia kanë mësyer Kosovës, vendlindjes së tyre, për t’i kaluar festat e fundvitit afër familjes, shkruan Gazeta Sinjali.
Ardhjen e tyre po e mirëpret edhe Komuna e Suharekës, komuna që ka numrin më të madh të mërgimtarëve.
Kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj përmes Gazetës Sinjali u ka uruar mirëserdhje të gjithë atyre që vijnë në vendlindjen e tyre.
Madje ai thotë që kanë bërë mirë që kanë ardhë pasi që nuk kanë qenë që një kohë të gjatë.
“Ju uroj ardhje të mirë edhe me kalu kohë me familjarët e tyre, ata po vijnë në vendlindjen e vet, ne jemi të gatshëm t’i presim mërgimtarët. Kanë bërë mirë që kanë ardhë për arsye se nuk kanë qenë që një kohë të gjatë”.
Muharremaj tha se do të bëjë çmos që ta menaxhojë sa më mirë situatën me COVID-19 dhe mërgimtarët të kalojnë mirë.
“Ne do të mundohemi ta menaxhojmë situatën sa më mirë edhe dëshira ime është që të kalojnë festat e fundvitit me familjet e tyre sa më mirë”.
Sipas shkallës së rrezikut nga përhapja e infeksionit, së fundi Komuna e Suharekës u kategorizua në zonën e gjelbër.
Mirëpo ardhjen e bashkatdhetarëve, kryetari Muharremaj nuk po e sheh si rrezik për rritjen e numrit të të infektuarve, gjë që do kishte bërë që kjo komunë të dalë në një zonë tjetër.
Ai madje tha se për ta do e lëshojë edhe oborrin e Komunës për ta shfrytëzuar si vend të parkingjeve dhe ku të ketë mundësi do ketë edhe lehtësime.
“Nuk besoj që do të rritet numri i të infektuarve, ne do t’u mundësojmë kushtet tona sa më të mira. Do t’u lëshojmë parkingjet, dmth parking për ta do të jetë edhe oborri i Komunës. Ku ka mundësi do të ketë edhe lehtësime dhe do të mundohemi t’u ofrojmë kushte sa më të mira”.
Përveç kësaj, Muharremaj u zotua se zyrja e tij në komunë do jetë e hapur për ta.
“Zyrën time do ta kem të hapur për ta, deri në ora 16:00 pasdite por edhe pas orës 16:00 oborri i Komunës dhe të gjitha parkingjet do të jenë në shërbim të tyre”.
Në Suharekë operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00.
Qendrat tregtare do të mund të punojnë nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 20. Veprimtaria e hotelerisë dhe gastronomisë ndalohet pas orës 20:00, përveç shërbimit “merre me vete” dhe “porosi me dërgesë“.