image A po rrezikohen shumë vende të punës nga zvogëlimi i ministrive?

Kosovë

A po rrezikohen shumë vende të punës nga zvogëlimi i ministrive?

news image

Projeksionet e dy partive që po negociojnë rreth formimit të koalicionit qeverisës, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për përgjysmimin e numrit të ministrive të qeverisë së ardhshme, nga 21 ministri sa janë aktualisht në 12, mund të sjellë reduktim të shërbyesve civilë në institucionet e Kosovës, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.

Në takimet e zhvilluara ndërmjet këtyre dy subjekteve politike ku po negociohet arritja e një marrëveshjeje për formimin e qeverisë së re, është diskutuar për reduktimin e numrit të ministrive, sipas projeksionit të bashkimit të dy e më shumë ministrive në një.

Të dy partitë tanimë kanë deklaruar se synojnë që qeveria e re të mos ketë më shumë se 12 ministri, duke besuar se zvogëlimi i numrit të ministrive nuk do të ketë si pasojë edhe shkurtime apo reduktimin e numrit të shërbyesve civilë.

Por, përfaqësues të shoqërisë civile e shohin paksa problematike realizimin e këtij synimi. Ndonëse, konsiderojnë se është e nevojshme të zvogëlohet numri i ministrive, njëherësh besojnë se do të reduktohet edhe numri i shërbyesve civil.

Drejtori i organizatës joqeveritare “Çohu”, Arton Demhasaj, tha për Radion Evropa e Lirë se shkurtimi i ministrive dhe bashkimi i tyre, rrjedhimisht mund të përcillet edhe me shkurtim të stafit.

“Është e pakuptimt që një numër aq i madh i stafit që ekziston në ministri, kur të bëhen bashkë (dy ministri në një) numri i këtij stafi të mbetet i njëjtë dhe të mos shkurtohet. Secila ministri i ka burimet njerëzore, ka zyrtarë për informim apo pozita tjera që në një ministri të bashkuar nuk ka nevojë të ketë aq shumë staf. Ky do të jetë problemi dhe sfida kryesore e bashkimit të ministrive sesa bashkimi i vet stafit politik apo bashkimi i ministrive”, thotë Demhasaj.

Numri i të punësuarve në sektorin publik është rreth 82 mijë persona. Paga mesatare në sektorin publik, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2018, ishte 573 euro.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë e Lëvizjes FOL, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se nëpër ministri ka shumë të punësuar me kontratë mbi vepër, të cilët siç thotë ajo, me zvogëlimin e numrit të ministrive do të mund të reduktohen si vende pune.

“Zvogëlimi i numrit të ministrive do të reduktojë numrin e të punësuarve. Ministritë kanë shpallur konkurse javëve të fundit gjë që na ka bërë të mendojmë se ato kanë nevojë për punëtorë, prandaj ndoshta me një strategji të mirëfilltë, secili punëtor të sistemohet në mënyrë që të mos ketë largime masive të punëtorëve nga puna”, thotë Demolli.

Demolli, thekson se Kosovës i duhet Ligji për Qeverinë, i cili, sipas saj, do të rregullonte numrin e ministrive dhe shumë çështje tjera.

Ndërkaq, Arton Demhasaj, thotë se në rast të shkurtimeve të stafit, do të rriteshin edhe pakënaqësitë e shërbyesve dhe do të krijoheshin probleme të mëdha.

“Mund të ngriten edhe padi nëse largohen njerëzit nga puna, ata kanë kontratë me ministritë dhe në momentin kur ata mund të largohen nga puna, ata mund të padisin qeverinë dhe mund të fitojnë rastin për shkak se nuk është faji i tyre që është bërë eksperiment vazhdimisht me qeverinë, herë duke u rritur numri i ministrive, herë duke u zvogëluar. Pra, duhet një Ligj për qeverinë, të punësuarit nuk janë fajtorë dhe për këtë arsye ky është problemi kryesor”, thotë Demhasaj.

Ndërkohë, në një studim të bërë nga Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP është thanë se me zvogëlimin e qeverisë sipas premtimeve zgjedhore të partive Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), sipas kalkulimeve, buxheti i Kosovës do të kursente rreth 15.5 milionë euro për një mandat qeverisës.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian në vazhdimësi kanë kërkuar reforma në administratën publike në Kosovë, si një prej kritereve për vendet aspirante që një ditë duan të marrin statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.

Përfaqësues të shoqërisë civile kanë theksuar se administrata publike është e mbipopulluar me përkrahës të partive politike dhe kjo është arsyeja, që institucionet kompetente po e neglizhojnë reformën në administratën publike.

Shumë pozita zyrtare në administratën publike në Kosovë, në vazhdimësi ishin konsideruar të panevojshme nga përfaqësues të shoqërisë civile. Ata kishin theksuar se punësimi i personave në postet publike, me apo pa nevojë, ndërlidhet edhe me marrëveshjet politike që partitë i arrijnë gjatë kohës së formimit të koalicioneve qeverisëse.

Në hulumtimet e bëra nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, ishte theksuar se lidhjet familjare, ryshfeti dhe lidhjet partiake, janë faktorët më të rëndësishëm për të siguruar një vend pune në administratën publike në Kosovë.