image A po dështon Kosova ta përfitojë ndihmën financiare ndërkombëtare?

Financa

A po dështon Kosova ta përfitojë ndihmën financiare ndërkombëtare?

news image

Vonesat që po krijohen në ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, do të mund të pamundësojnë tejkalimin e problemeve ekonomike dhe sociale që u krijuan nga pandemia Covid-19, thonë ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të autoriteteve në Kosovë.

Sipas tyre, Kosova po futet në një krizë të thellë ekonomike të shkaktuar nga masat që u morën për të frenuar përhapjen e koronavirusit, nëse nuk do të mund të arrijë t’i fusë në funksion këto fonde, që dalin nga ratifikimi i këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare.

Për përballimin me situatën shëndetësore dhe ekonomike, të shkaktuar nga përhapja e sëmundjes Covid-19, që shkaktohet nga koronavirusi, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Transfereve janë pesë marrëveshje në vlerë prej 253 milionë eurosh.

Në seancën e kaluar më 11 qershor, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave për, prej 2/3 të deputetëve të pranishëm, për miratimin e projektligjeve për ratifikimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare.

Partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, nuk dhanë mbështetjen e tyre për ratifikimin e këtyre marrëveshjeve.

Përfaqësuesit e Vetëvendosjes thanë se do të përmbahen gjatë votimit të këtyre marrëveshjeve, ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, gjatë seancës, tha se marrëveshjet janë arritur që një kohë dhe sipas tij ka pasur “nguti” me sjelljen e tyre në kuvend, prandaj edhe kanë thënë se nuk do t’i votojnë ato.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka caktuar seancë më 23 qershor ku pritet do shqyrtohen edhe një herë këto marrëveshje ndërkombëtare.

Marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga ana e Kosovës, sipas Kushtetutës, duhet të ratifikohen në kuvend me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve.

Krasniqi: Mosratifikimi i marrëveshjeve vë në rrezik ekonominë e vendit

Zëvendësministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Agim Krasniqi, thotë për REL se mosratifikimi i këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare do të vë në rrezik rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

“Rëndësia e ratifikimit të këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare financiare është i madh. Edhe projeksionet e buxhetit për vitin 2021, përveç financimit të brendshëm, mbështeten në fondet e këtyre marrëveshjeve. Në rast se këto marrëveshje nuk ratifikohen, nuk ecim përpara duhet t’i rikthehemi rishikimit të buxhetit dhe kjo sjell probleme të jashtëzakonshme”, thotë Krasniqi.

Krasniqi shton se të gjitha proceset do të vonohen, edhe programi i qeverisë që përfshin programin për rimëkëmbje ekonomike, në shumë pjesë të planifikimit, nuk mund të ekzekutohen.

Marrëveshjet për kredi të cilat kërkojnë ratifikim në kuvend nuk kanë të bëjnë vetëm me situatën e krijuar nga pandemia Covid-19, por janë edhe marrëveshje tjera për projekte që kanë të bëjnë me trajtimin e ujërave të zeza.

Kosova po vonohet në rimëkëmbjen ekonomike

Eksperti i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, thotë për REL se është shqetësuese mosratifikimi i këtyre marrëveshjeve, pasi që këto mjete financiare të këtyre marrëveshjeve, janë të domosdoshme për rimëkëmbje ekonomike.

“Një ndër indikatorët më shqetësues është mosuniteti politik dhe tentativat që më shumë të mbrohen interesat e partive politike sesa interesat e shtetit. Në këtë drejtim, jemi dëshmitarë të një realiteti të hidhur të krijuar, ku shumë marrëveshje ndërkombëtare nuk janë ratifikuar dhe në momentin kur Kosova ka më së shumti nevojë për asistencë financiare nga donatorë të ndryshëm ndërkombëtarë, kemi mbetur peng i marrëveshjeve të paratifikuara”, thotë Gërxhaliu.

Gërxhaliu thotë se autoritetet duhet të marrin hapa urgjent për të sanuar problemet ekonomike, pasi që ekonomia e Kosovës është në një situatë mjaft të vështirë.

“Situatën e rëndë ekonomike në Kosovë e dëshmojnë shumë indikatorë, kemi rënie të investimeve të huaja, kemi rënie të eksporteve, kemi rënie të performancës qoftë në Dogana, qoftë në Administratën Tatimore të Kosovës kemi rënie të remitencave dhe të gjitha këto janë indikatorë shqetësues që na obligojnë që të punohet shumë më tepër në ekonomi”, tha Gërxhaliu.

BE-ja e zhgënjyer nga mosratifikimi i këtyre marrëveshjeve

Mosmiratimi i projektligjeve për ratifikimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare në seancën e kaluar të Kuvendit të Kosovë, ka nxitur reagimin e ambasadorit të Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt.

Heldt pati kritikuar Kuvendin e Kosovës për këtë gjë.

“Fjala zhgënjim është shumë diplomatike. A do ta shohim së shpejti Kuvendin e Kosovës duke punuar? Kjo kishte të bënte me paketat e ndihmës për shtetin dhe popullin”, pati shkruar Heldt në një postim në rrjetin social, Twitter.

Ai ka bërë këto komente, ndërkohë që edhe shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostolova, ishte shprehur “e zhgënjyer” që kuvendi nuk ka miratuar këto legjislacione.

Mekanizmat financiarë ndërkombëtarë në raportet e tyre të publikuar për efektet e pandemisë në ekonominë e Kosovë, kanë vlerësuar se janë shkaktuar dëme të mëdha.

Banka Botërore në raportin e saj ka paraparë një rënie ekonomike prej 4,5 për qind në Kosovë./Gazeta Sinjali/