image A po aplikon SHSKUK-ja terapi të dëmshme te pacientët me COVID-19?

Shëndetësi

A po aplikon SHSKUK-ja terapi të dëmshme te pacientët me COVID-19?

news image

Pacientëve të infektuar me koronavirus në klinikat e Qendrës Klinike, Universitare të Kosovës, po u aplikohet ilaçi “hidroksiklorokina” kundër këtij virusi, bar ky që është aplikuar nga fillimi i pandemisë.

Por ky ilaç, sipas shumë studimeve është i ndaluar të përdoret kundër koronavirusit. Kështu që nga qershori i këtij viti, pothuajse në çdo revistë shkencore janë botuar rezultate të studimeve që tregojnë se efekti mjekues i hidroksiklorokinës është baraz me zero, ndërsa efektet anësore janë të shumta dhe serioze. Madje thuhet se ky ilaç rrezikon jetën.

Agjencia e lajmeve “Reuters” në një tekst të botuar më 25 maj të këtij viti, tregon se shumica e shteteve të BE-së  i kanë ndërprerë autorizimet që institucionet shëndetësore të përdorin këtë ilaç. Dhe si rezultat në mënyrë të menjëhershme është bërë ndërprerja e shumicës së studimeve që kanë qenë duke u bërë për këtë ilaç.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ishte duke e bërë një studim për këtë ilaç, i quajtur studimi Solidarity, ka konstatuar se hidroksiklorokina nuk prodhon kurrëfarë efekti pozitiv për pacientët me COVID-19. Si dhe ka njoftuar se studimi Solidarity ndërpritet  menjëherë. OBSH ka deklaruar se derisa nuk do të këtë të dhëna të tjera, është kundër që mjekët ose shoqatat e ndryshme mjekësore të rekomandojnë ose ta japin ilaçet e paverifikuara, duke e përfshirë edhe hidroksiklorokinën.

Ndërkaq revista “Sceinece”, në një tekst të publikuar më 9 qershor të këtij viti përmenden të dhënat nga hulumtimet Recovery, të bërë nga Universiteti i Oksfordit, dhe dy studime tjera PEP, njëri në SHBA e tjetri në Spanjë.

Këto tri studime nuk kanë gjetur asnjë efekt pozitiv te pacientët e trajtuar më këtë ilaç, krahasuar me ata që në vend të ilaçit kanë marrë tjetër bar, si në aspektin e efekteve në kohëzgjatjen e mjekimit, shfaqjes së ndërlikimeve apo zvogëlimit të numrit të të vdekurve; ashtu edhe në aspektin e parandalimit të infeksioneve të reja në mesin e atyre që kanë rënë në kontakt me virusin.

Pra të njëjtat studime e konfirmuan një studim të mëhershëm të botuar në “Lancet” më 22 maj të këtij viti, në të cilin kishte shumë kritika për këtë ilaç, deri në atë pikë ku është akuzuar për numrin e madh të vdekjeve. Por ky studim për arsye ende të panjohura është larguar nga revista më 4 qershor.

Kurse transmetuesi britanik “BBC” më 27 korrik përmes një artikulli i kthehet edhe një herë studimit Recovery, në të cilin morën pjesë 11 mijë persona me COVID-19 në të gjitha spitalet e Britanisë së Madhe. Në atë artikull thuhet se nuk ka efekte të dobishme të hidroksiklorokinës te pacientët e hospitalizuar me COVID-19 dhe ilaçi është tërhequr nga studimi.

Edhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara për Alergji dhe Sëmundje Infektive, Anthony Fauci, në fillim të muajit korrik deklaroi se hidroksiklorokina është e paefektshme për  pacientët me COVID-19. Ai tha se ka të dhëna, të cilat kanë treguar se hidroksiklorokina nuk është efektive në trajtimin e COVID-19.

E në një studim tjetër i titulluar “A randomised  Trial of Hydroxychloquine as Postexposure Prophylaxis for Covid 19”, i cili u botua më  8 gusht, flitet për përdorimin eventual të këtij ilaçi pas infektimit me koronaviurs, pra si ilaç që mund t’i mbrojë ata që eventualisht janë infektuar nga kontaktet me personat e infektuar.

Por megjithatë në konkluzionet e këtij studimit thuhet se pas ekspozimit ndaj COVID-19 me rrezik të mesëm ose të lartë, hidroksiklorokina nuk parandaloi COVID-19 ose infeksionin e konfirmuar kur është përdorur si terapi parandaluese brenda 4 ditëve pas ekspozimit të infeksionit.

Pavarësisht këtyre studimeve ky ilaç përveç që po vazhdon të aplikohet te pacientët e infektuar me koronavirus në Kosovë, është licensuar të importohet me kushte të veçanta.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se kjo erdhi pas propozimit të grupit profesional të Agjensisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) që për zbatimin e masave të veçanta, AKPPM të lëshojë licensë importi pa autorizim të marketingut për produktet për përdorim tek pacientët me Covid-19.

Raste të reja me koronavirus çdo ditë po konfirmohen në Kosovë, dhe siç duket pacientët do të trajtohen me këtë ilaç, edhe pse sipas studimeve të lartëpërmendura është i dëmshëm.

/GazetaSinjali/