image A mund ta përshpejtojë ShBA-ja drejtësinë për krimet seksuale të luftës?

Siguri

A mund ta përshpejtojë ShBA-ja drejtësinë për krimet seksuale të luftës?

news image

Një projekt-rezolutë e kongresistit amerikan, Colin Allred, që i bën thirrje ShBA-së të nxisë përndjekjen e krimeve seksuale gjatë luftës në Kosovë, më 1998/99, po shihet si mundësi për përparim në këtë drejtim.

Kjo rezolutë, e cila ende nuk është votuar në Kongresin amerikan, ka si pikënisje kërkimin e drejtësisë për rastin e Vasfije Krasniqi-Goodmanit, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Krasniqi-Goodman është deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe shtetase amerikane. Ajo është gruaja e parë në Kosovë që ka treguar publikisht se është dhunuar seksualisht nga forcat serbe.

Dy personat e akuzuar për dhunimin e saj, Jovica Dejanoviq dhe Gjorgje Bojkoviq, janë liruar nga Gjykata Supreme në Kosovë në vitin 2014, me arsyetimin se “përshkrimet e autorëve të krimit janë të përgjithshme dhe të paqarta” dhe se ato “nuk mjaftojnë që të arrihet përfundimi – përtej dyshimit të bazuar – se të pandehurit në këtë rast, kanë qenë ata që kanë kryer veprat penale”.

Në projekt-rezolutën e kongresistit amerikan thuhet se “është e papranueshme që asnjë individ nuk është shpallur fajtor për krimet seksuale kundër znj. Krasniqi-Goodman”.

Gjatë prezantimit të saj, më 31 maj, Allred ka përgëzuar Krasniqi-Goodmanin për, siç ka thënë, guximin e saj.

“Jam shumë i frymëzuar nga guximi i Vasifjes për të ndarë historinë e saj të dhimbshme, por edhe për të hedhur dritë mbi realitetin e dhunës seksuale, të kryer nga ushtria dhe policia serbe gjatë luftës së Kosovës”, është cituar të ketë thënë Allred në një raport të Zërit të Amerikës.

Rezoluta e propozuar e tij, përveç rastit të Krasniqi-Goodmanit, kërkon drejtësi edhe për viktimat e tjera të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Shtetet e Bashkuara duhet ta llogarisin në mënyrë të drejtë rolin e taktikave të tilla [dhunimeve seksuale] në tentativën për spastrim etnik gjatë luftës në Kosovë, dhe të mbajnë përgjegjëse Qeverinë e Republikës së Serbisë për zbatimin e plotë të angazhimeve të saj ndërkombëtare, bilaterale dhe kombëtare në këtë drejtim”, thuhet mes tjerash në rezolutë.

Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), e cila merret me rehabilitimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, thotë se ka shpresa se projekt-rezoluta e kongresistit amerikan mund të ndikojë për të mirë.

“Natyrisht që çdo presion ndërkombëtar është i mirëseardhur. Aq më shumë kur presioni vjen nga një vend mik siç është SHBA-ja. Presione të tilla janë të mirëseardhura dhe mund të ndikojnë, besoj direkt, në rritjen e ndëshkimit të këtyre krimeve”, thotë Rushiti për Radion Evropa e Lirë.

Më skeptike shprehet Iva Vukushiq, historiane nga Universiteti i Utrecht-it në Holandë, e cila ka punuar si analiste në Departamentin Special për Krimet e Luftës në Zyrën e Prokurorit të Bosnje dhe Hercegovinës.

“Sigurisht, presioni nga jashtë mund të ndihmojë pak… Mendoj se në thelb, në mënyrë ideale, shoqëria do të dëshironte t’i ndiqte penalisht këto raste për hir të vetvetes. Të kuptojmë se duhet t’i ndjekim penalisht, për t’i bërë shoqëritë tona më të mira, pa përdhunues dhe vrasës që ecin vërdallë, dhe jo për shkak të presionit të jashtëm”, thotë Vukushiq.

Numri i saktë i personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë nuk dihet. Megjithatë, sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, rreth 20 mijë persona kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch, në një raport të vitit 2001, ka vlerësuar se dhunimi seksual është përdorur si armë lufte dhe instrument i spastrimit etnik nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Përndjekja e krimeve seksuale gjatë luftës në Kosovë

Lufta në Kosovë ka ndodhur gjatë viteve 1998-99. Që nga ajo kohë, krimet e dyshuara të luftës janë ndjekur në disa instanca nga autoritetet ndërkombëtare dhe lokale.

Një pjesë e gjykimeve, kryesisht të profileve të larta, janë mbajtur në Tribunalin e Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, përgjegjës për hetimin e tyre ka qenë Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar dokumentet në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Deri më tani, në gjykatat e Kosovës është vetëm një vendim dënues për një person të akuzuar për dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë.

Në vitin 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me dhjetë vjet burgim ish-rezervistin e policisë serbe, Zoran Vukotiq, për kryerjen e veprës penale të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ky vendim, megjithatë, ende nuk është i plotfuqishëm dhe pritet të shqyrtohet në Gjykatën e Apelit.

Amer Alija, hulumtues në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se, krahasuar me numrin e personave që dyshohet se janë dhunuar gjatë luftës në Kosovë, gjykime ka pasur shumë pak.

“Sa u përket gjykimeve në Kosovë, kanë qenë katër raste për dhunim seksual gjatë kohës së luftës – prej tyre kanë qenë të akuzuar pesë persona. Në tri rastet e mëhershme, [të akuzuarit] janë liruar, kurse rasti i fundit [Zoran Vukotiq] është ende në procedurë, rasti është në Apel”, thotë Alija.

Ai shton se në Tribunalin e Hagës janë shpallur fajtorë pesë eprorë serbë për krimet që i kanë bërë vartësit e tyre në Kosovë, do të thotë për abuzim seksual gjatë luftës.

Sipas Aliajt, përndjekja e krimeve seksuale të luftës përcillet me shumë sfida.

“Një prej tyre është se viktimat shpesh kanë probleme me identifikimin e personave që e kanë kryer veprën drejtpërdrejt dhe nëse ti nuk e njeh identitetin e kryesit, atëherë është e vështirë që personi që e ka bërë aktin, të dënohet”, thotë Alija.

Feride Rushiti, nga QKRMT-ja, thotë se organizata e saj ka dërguar në Policinë e Kosovës 25 raste të dyshuara të krimeve seksuale gjatë luftës.

Sipas informacioneve që ka, Rushiti thotë se në hetim e sipër në Prokurorinë Speciale të Kosovës janë 45 raste që kanë të bëjnë me krime të dyshuara seksuale gjatë luftës.

Vetë Prokuroria nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se sa raste të tilla i ka në proces.

Sipas të dhënave nga janari i këtij viti, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pasur në proces mbi 1,250 raste të krimeve të luftës, përfshirë raste të dhunës seksuale.

“Ka shumë raste që nuk kanë përfunduar kurrë në gjykatë”

Të dhënat zyrtare dhe ato nga organizatat monitoruese për gjykimet e krimeve të luftës tregojnë se në të gjithë Ballkanin nuk ka pasur numër të madh të gjykimeve për krime seksuale gjatë luftërave të viteve ‘90.

Në shumicën e rasteve, krimet seksuale janë të përfshira si pika të aktakuzave më të gjera për krime të luftës, apo krime kundër njerëzimit.

Sipas të dhënave të Tribunalit të Hagës për të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi (Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë), deri në vitin 2016, janë dënuar 32 persona për krime seksuale në luftë.

Tribunali ka nisur punën në vitin 2003 dhe është mbyllur në vitin 2017.

Që nga fillimi i punës së Tribunalit, 78 individë, ose 48 për qind nga 161 të akuzuarit, kanë pasur akuza për dhunë seksuale të përfshira në aktakuzat e tyre.

Iva Vukoshiq thotë se, në 20 vjetët e fundit, shumë gjykata në vendet e ish-Jugosllavisë kanë krijuar kapacitete për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës dhe, në mënyre specifike, atyre të dhunimeve seksuale.

“Megjithatë, ka ende shumë raste që nuk kanë përfunduar kurrë në gjykatë; të mbijetuarit ndihen të frustruar dhe të përdorur nga sistemi gjyqësor. Dhe, sigurisht që shumë të mbijetuar nuk marrin mbështetje të mjaftueshme nga shteti dhe nuk marrin asnjë lloj dëmshpërblimi që lidhet me viktimizimin e tyre”, thotë Vukoshiq.

Në vitin 2020, Gjykata e Apelit në Beograd ka shpallur fajtor Nikolla Vida Llujiqin për dhunim seksual gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë në vitin 1992.

Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, kjo është vetëm aktakuza e dytë e ngritur në gjykatat serbe ekskluzivisht për dhunë seksuale në luftë.

“Në praktikën gjyqësore, deri më tani, dhuna seksuale rrallë është ndjekur penalisht, më së shpeshti si krim lufte i lidhur me vrasje dhe forma të tjera të dhunës fizike. Para këtij rasti, vetëm një aktakuzë është ngritur ekskluzivisht në lidhje me dhunën seksuale – përdhunim, në rastin Bijelina II”, thuhet në një raport të Fondit për gjykimet e krimeve të luftës në Serbi, gjatë vitit 2020.

Radio Evropa e Lirë ka provuar të marrë të dhëna në lidhje me numrin e gjykimeve për krime seksuale të luftës në gjykatat në Serbi, por autoritetet atje nuk janë përgjigjur.

Ato nuk kanë komentuar as propozim-rezolutën e kongresistit amerikan në lidhje me shtytjen e shtetit serb për përndjekjen e krimeve seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Sipas historianes Vukoshiq, një krahasim se cili shtet i ish-Jugosllavisë ka bërë më shumë në përndjekjen e krimeve të luftës, është vështirë të bëhet.

“Nuk mendoj se është mirë ta trajtojmë si garë dhe kontekstet janë të ndryshme. Të gjitha shtetet duhet të bëjnë më shumë. Të gjitha këto shtete ishin më të suksesshme në hetimin dhe ndjekjen penale një dekadë më parë, dhe tani, shumica e përpjekjeve janë ngadalësuar. Kam frikë se është një trend dhe se ditët më të mira, më aktive të ndjekjeve penale [përfshirë dhunën seksuale] janë prapa nesh”, thotë Vukoshiq.

Në vitet ‘90, rajoni i atëhershëm i Jugosllavisë është përfshirë nga konflikte dhe luftëra, që kanë lënë mijëra njerëz të vdekur.

Lufta në Kroaci ka nisur në vitin 1991 dhe ka përfunduar në vitin 1995, me rreth 20 mijë persona të vrarë.

Lufta në Bosnje, që ka nisur në vitin 1992 dhe ka zgjatur deri më 1995, ka lënë rreth 100,000 persona të vrarë.

Në Kosovë, gjatë luftës së viteve 1998-99, janë vrarë më shumë se 13,000 persona. Mbi 1,600 veta mbeten të zhdukur edhe sot e kësaj dite.

Çdo vit, më 19 qershor, bota shënon Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt.

“Kostot e konfliktit janë të mëdha; kostot e konfliktit që paguajnë kryesisht gratë dhe vajzat, janë të pallogaritshme”, vlerësojnë Kombet e Bashkuara.

/GazetaSinjali/