image A ekziston rreziku të infektohemi me koronavirus nëpërmjet parave?

Pandemia/ A ekziston rreziku të infektohemi me koronavirus nëpërmjet parave?

news image

Paraja nuk paraqet ndonjë rrezik të veçantë ndaj publikut, sa i takon virusit.

Anëtari i Bordit Ekzekutiv të Bundesbank, Johannes Beermann deklaroi se rreziku i marrjes së koronavirusit përmes parave të thata është jashtëzakonisht minimal.

Në një konferencë shtypi në Bundesbank, Beermann vuri në dukje se “probabiliteti për t’u sëmurë nga paratë është më i vogël sesa nga shumë objekte të tjera të përdorura në jetën e përditshme”.

Ai tha se veçanërisht kartëmonedhat në euro janë krijuar të tilla që ndotja përmes përdorimit të përditshëm të jetë minimale. Për më tepër, kartëmonedhat 5 dhe 10 €, të cilat janë më të përdorurat dhe qarkullojnë dorë më dorë, gjithashtu kanë një shtresë mbrojtëse kundër ndotjes.

“Çdo vit përpunohen mbi 14 miliardë kartëmonedha, hiqen kartëmonedhat e ndotura dhe zëvendësohen”, shpjegoi Z. Beermann.

René Gottschalk, infektolog dhe drejtues i Zyrës së Shëndetit në Frankfurt am Main, nuk konsideron se ka ndonjë rrezik të transmetimit të koronavirusit përmes kartëmonedhave.

“Në parim, është plotësisht e parëndësishme se sa kohë patogjenët mund të mbijetojnë në sipërfaqe. Ajo që është vendimtare është nëse përbën një kanal infeksioni”, shpjegoi Gottschalk në konferencën për shtyp. Ai nuk pa asnjë kanal të tillë infeksioni si ekzistues te kartëmonedhat.

“Koronavirusi është përhapur kryesisht nga kollitja, teshtitja ose gjithashtu duke folur”, shtoi Gottschalk, “Nëse virusi përhapet përmes kartëmonedhave ose sipërfaqeve të tavolinës, numri i rasteve do të ishte më i lartë”, theksoi ai.

Po kështu, Shoqata Ndërkombëtare e Valutave ICA u shpreh se nuk ka dëshmi se kartëmonedhat janë më të ndotura se çdo sipërfaqe tjetër dhe mendimi mbizotërues midis ekspertëve mjekësorë është se virusi nuk po transmetohet nga kartëmonedhat.

“Të gjitha sipërfaqet mund të mbajnë virusin COVID-19 ose ndonjë baktere dhe virus tjetër. Kjo natyrisht përfshin kartëmonedha. Dhe kartat. Dhe telefonat, tavolinat, tastierat, butonat e ashensorit. Lista është e pafund”, shprehet në një njoftim shoqata.