Qeveria e Kosovës sonte ka nxjerrë një vendim përmes të cilit ndalon lëvizjen dhe tubimet e qytetarëve shkaku i rrezikut nga coronavirusit. Por, është pika IV e këtij vendimi e cila duket se është menduar që të ndalojë edhe seancën për mocionin e mosbesimit qeverisë Kurti.
Në pikën IV të këtij vendimi thuhet se ndalohet tubimi në të gjitha mjediset, si private e edhe publike, si në ambiente të hapura e edhe të mbyllura
“Pika IV e vendimit të Qeverisë ndalon tubimet në të gjitha mjediset – private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura”, thuhet në pikën IV të vendimit të Qeverisë, të cilin e kontestoi presidenti Hashim Thaçi, i cili tha se atë do ta dërgojë në kushtetuese.
Vetëvendosje, këto ditë përmes zyrtarëve të saj ka thënë se nuk ka kushte që të mbahet seanca për mocionin e mosbesimit të thirrur nga LDK.
Tani, duket se qeveria e udhëhequr nga lideri i VV-së, ka shkuar edhe një hap më tutje, duke e ndaluar edhe me vendim qeveritar, tubimin e deputetëve për ta mbajtur këtë seancë.
Në anën tjetër, zyrtarë të LDK-së që po insistojnë se seanca duhet të mbahet, përmendën mundësinë që kjo seancë të mbahet në ndonjë ambient tjetër, e jo në sallën e Kuvendit, duke e mos e përjashtuar si mundësi që ajo të mbahet edhe në ndonjë ambient të hapur.
Por, me vendimin e qeverisë Kurti, ndalohet tubimi edhe në ambiente të hapura, që rrjedhimisht, nëse mendohet që seanca të mbahet edhe në shesh, ajo ndalohet sipas vendimit të qeverisë.