Kandidatët e tyre për udhëheqësit e institucioneve ende nuk i kanë caktuar të gjitha partitë politike, përveç PDK-së që tashmë e ka zyrtarizuar kandidatin për kreun e Qeverisë.
Emrin e kryeministrit nuk e ka as LDK-ja. Nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, thotë se në partinë e tij ka shumë gjeneralë por njëri duhet t’i prijë në zgjedhje si kandidat për kryeministër e të tjerët duhet ta mbështesin.
Ai thotë se shkuarjen në zgjedhje të reja e kishte paraparë vetë kryeministri Avdullah Hoti, kjo jo për arsye të vendimit të Kushtetueses, por për shkak të përçarjes brenda koalicionit qeverisës.
Muhaxheri ka folur edhe rreth asaj se ku e sheh të renditur LDK-në në zgjedhjet e ardhshme dhe se a do të ketë koalicione parazgjedhore si dhe përplasjet e Vjosa Osmanit me kryetarin Isa Mustafa dhe për kandidatin për kryeministër nga LDK.
“Nuk e kam pritur vendimin e gjykatës mirëpo prej kryeministrit jam informuara që Qeveria nuk mundet të kalojë janarin dhe duhet të përgatitemi për zgjedhje. Besoj që ka qenë jo prej Gjykatës Kushtetuese por e ka pa që koalicioni që nuk po mundet me ec më tutje dhe besoj që ka qenë i vetëdijshëm që po shkojmë drejt zgjedhjeve”, tha Muhaxheri për KP.
Ai preferon që LDK-ja të hyjë e vetme në zgjedhje, kjo për të parë nëse drejtuesit aktualë të partisë e kanë mbështetjen e elektoratit./Gazeta Sinjali/