image A do të ashpërsohen masat pas rasteve me Omicron në Kosovë? Flasin nga Ministria e Shëndetësisë

Shëndetësi

A do të ashpërsohen masat pas rasteve me Omicron në Kosovë? Flasin nga Ministria e Shëndetësisë

news image

Ministria e Shëndetësisë nuk do t’i ashpërsojë masat antiCOVID ndonëse mbrëmë u regjistruan nëntë raste pozitive me Omicron.

Kështu ka thënë zëdhënësi i kësaj ministrie, Faik Hoti. Sipas tij duhet të respektohen masat të cilat janë në fuqi si dhe të vazhdojë vaksinimi i plotë.

Aktualisht janë në fuqi një seri masash të cilat duhet të zbatohen për përpikëri dhe të vazhdojë vaksinimi i plotë, ndërsa Komisioni jep rekomandime nëse masat në fuqi janë të mjaftueshme, apo duhet ndryshuar diçka, qoftë në drejtim të shtrëngimit të tyre apo lirimit të tyre. Pra çdo ndryshim i masave është i lidhur me zbatimin e tyre dhe vaksinimin”, ka thënë ai për express.

Ndërsa infektologu Hamdi Ramadani ka thënë se masat aktuale janë në përputhje me situatën epidemiologjike në vend.

Ai ka thënë se për të pasur një situatë më të qetë epidemiologjike, qytetarët duhet t’i respektojnë ato.

Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, të vëmendshëm, qytetarët të përcjellin me kujdes të madh mesazhet dhe këshillat mjekësore. Kjo nënkupton që masat të cilat janë në fuqi e masat e përgjithshme, maskat, distanca, higjiena, janë tepër të rëndësishme edhe në luftën kundër Omicron”, ka deklaruar ai.

Kosova disa ditë më parë dërgoi 72 mostra për testim për variantin Omicron të koronavirusit në Gjermani, rezultatet e të cilave u publikuan sot.

Sipas njoftimit të IKShPK-së, 2 raste janë të importuara nga SHBA-të, 2 nga Londra, 1 nga Franca dhe 4 raste me variantin Omicron të detektuar janë në komunën e Mitrovicës, të cilët mohojnë historinë e udhëtimit dhe se kanë pasur kontakte me dikë nga jashtë. 

/GazetaSinjali/