image Kusari - Lila: Vetëm në sistemet diktatoriale mund të kërkohet shkarkimi i gruas më të votuar në parti

Politikë

Kusari – Lila: Vetëm në sistemet diktatoriale mund të kërkohet shkarkimi i gruas më të votuar në parti

news image

Deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka reaguar pas propozimit të liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafës, për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga të gjitha pozitat brenda LDK-së, shkruan Gazeta Sinjali.

Kusari – Lila ka thënë se një propozim i tillë për shkarkimin e gruas për të votuar të partisë ndodh vetëm në vendet me sisteme diktatoriale.

“Edhe pak minuta ju kanë mbetur anëtarëve të Këshillit Drejtues të LDK-së për të dëshmuar a janë Lidhje Demokratike apo Lidhje Anti Demokratike. Vetëm në vendet me sisteme diktatoriale dhe me cenzurë shtetërore, mund të ndodh të kërkohet shkarkimi i gruas më të votuar në parti, bartëses së listës dhe kandidatës për Kryeministër, nga njeriu që dy palë zgjedhje nuk ka garuar vetë dhe nuk është matur me votën e qytetarëve”, ka shkruar Kusari në Facebook.

Sipas saj Mustafa nuk ka legjitimitet të bëjë një gjë të tillë pa një elaborim të mirëfilltë të strukturave vendimarrëse.

“Cili është legjitimiteti i z. Mustafa dhe njerzëve rreth tij, të kërkojnë shkarkimin online, pa deklarime, pa debat dhe pa asnjë elaborim të mirëfilltë të strukturës vendimarrëse, për nënkryetaren Vjosa Osmani, kur e tërë pesha e rezultatit të ngritur të LDK – së nga zgjedhjet e 6 Tetorit, ishte falë Osmani”, ka shkruar tutje Kusari – Lila.

Tutje ajo thotë se “nuk ka asnjë dyshim që Osmani do të dalë ende më e fortë nga kjo sfidë”, sikurse thotë se doli në vitin 2017.

“Me qëllimin e heshtjes së të gjithë zërave të arsyes, me qëllimin e mbytjes së çfarëdo mendimi dhe veprimi që nuk është në përputhshmëri me agjendën personale të Kryetarit Mustafa dhe Presidentit Thaçi, LDK nuk do të arrijë të “rikthejë” kontrollin në strukturë, por në të kundërten, do të shpërbëjë atë me shpejtësinë e paimagjinuar për ata që e ndjekin këtë rrugë jo demokratike”, shkruan deputetja.

Sipas Kusari – Lilës, Vjosa Osmani është aset jo vetëm i LDK – së, por edhe i tërë Kosovës.

Andaj, sipas saj “ata që e duan Vjosën jashtë vendimarrjes, e duan Kosovën më të dobët e veten më të fortë. Por tani, sapo kanë vendosur ta forcojnë Vjosën ende më shumë”./Gazeta Sinjali/