image 9 muaj nga zhdukja e Bedri Rexhepit, ende nuk dihet asgjë për fatin e tij

Sociale

9 muaj nga zhdukja e Bedri Rexhepit, ende nuk dihet asgjë për fatin e tij

news image

Sot janë bërë 9 muaj prej kur është rrëmbyer Bedri Rexhepi dhe që atëherë familja nuk ka asnjë informacion për fatin e tij. Ai u zhduk në rrethana misterioze më 8 prill të vitit 2021 dhe dyshohet se me vete kishte rreth 30 mijë euro para të gatshme.

I dyshuari kryesor për rrëmbimin e tij është Jeton Vlasaliu, i cili u arrestua më 14 prill, gati një javë pas ditës kritike dhe që nga ajo kohë po mbahet në paraburgim.

As kërkimet e Policisë së Kosovës e KFOR, madje as 30 mijë euro shpërblim që ka ofruar familja e Bedriut, nuk sollën për 9 muaj asnjë informacion për fatin e të riut.

Vëllai i Bedriut, Vedati pati deklaruar për Sinjalin se s’kanë marrë ende asnjë informacion nga institucionet.

“Absolutisht (asnjë informacion nuk e kemi marrë), përveç që një person është i arrestuar edhe Prokuroria e din, është në rrjedha, është i paraburgosur. Dmth, nuk kemi asnjë informacion të vetëm. Fatkeqësisht deri tash nuk ka kurgjo, por më e keqja është që prej institucioneve, të gjitha, jo vetëm njërës, por të gjithave, përveç Policisë, që nuk është në dorën e saj, asnjë informacion të vetëm nuk e kemi. Jo veç tani, po në vazhdimësi. ”, tha ai.

Gjatë muajit gusht të vitit të kaluar, Prokuroria Themelore e Prishtinës doli me një deklaratë për këtë rast, duke njoftuar se përkundër bashkëpunimit me KFOR-in dhe FSK-në, ende s’kanë arritur ta identifikojnë vendndodhjen e Rexhepit.

Prokuroria pati theksuar se “Prokurori i Shtetit është duke punuar me seriozitetin maksimal dhe me të gjitha kapacitetet që disponon në koordinim të plotë më Policinë e Kosovës, për këtë rast”.

Ndërkaq, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 gusht, ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji S.G., i cili dyshohet se kishte mashtruar familjen e Bedriut, duke u paraqitur fakte të rreme, për gjoja gjetjen e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore, në atë mënyrë që ka kontaktuar përmes messengerit me vëllain e Bedriut, V., duke u prezantuar si agjent i CIA-s amerikane.

S.G., dyshohet për “Mashtrim”, “Shantazh”, “Prezantim të rremë si person zyrtar”, “Falsifikim të dokumenteve”, “Manipulim të provave”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/