image “85 euro ose të denoncoj në polici për ngacmim seksual”, 15-vjeçarja shqiptare përfundon në pranga pasi shantazhoi të riun me bisedat e “nxehta”

Shqipëri

“85 euro ose të denoncoj në polici për ngacmim seksual”, 15-vjeçarja shqiptare përfundon në pranga pasi shantazhoi të riun me bisedat e “nxehta”

news image

Gjykata e Tiranës i ka dhënë fund shqyrtimit të një rasti “gjobëvenieje” në Tiranë, që ka si protagoniste një të mitur 15-vjeçare. E reja është shpallur fajtore për “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” ndaj një djali 8 vjet më të madh në moshë, të cilin e shantazhoi përmes një bisede intime në rrjetin social Snapchat.

E pandehura minorene me iniciale E. K. u dënua me 1 vit burg, por nuk do të shkojë asnjë ditë në qeli, pasi në përfundim gjykata vendosi lënien e saj në Shërbim Prove për një periudhë 16-mujore.

Referuar vendimit të gjykatës, në shtator të vitit të kaluar, ka filluar një komunikim në Instagram me 23-vjeçarin, që futi më pas në kurth.

Në kallëzimin e tij, i riu ka treguar se biseda është zhvendosur në rrjetin social Snapchat dhe ka pasur natyrë të ngacmimeve seksuale.

Sipas tij, gjithçka është ndërprerë kur bashkëbiseduesja i ka thënë se ishte 15 vjeç.

Por disa orë më vonë, nga e njëjta adresë atij i ka shkruar një person që i është prezantuar si vëllai i të miturës.

Duke i thënë se ishte punonjës policie, ai i ka kërkuar 10 mijë lekë të rinj (85 euro), në këmbim të mos denoncimit të tij për “ngacmim seksual” ndaj të motrës së mitur.

Para se të shkonte në vendin e lënë për dhënien e parave, pranë 9-katësheve në Tiranë, i riu kallëzoi rastin në polici dhe dhënia e parave ndodhi në sy të agjentëve.

Sipas vendimit të gjykatës, në vendin e takimit, shuma e 10 mijë lekëve të rinj është marrë nga një vajzë, që rezultoi të ishte e mitura 15-vjeçare.

Gjatë hetimit, e pyetur në prani të psikologëve, ajo ka shpjeguar se kishte vepruar e vetme, pa person tjetër pas saj dhe se bisedat me 23-vjeçarin i kishte bërë për ta larguar atë dhe jo për të përfituar para prej tij, raporton A2 CNN.

/GazetaSinjali/