Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i shefit të qeverisë më 19 korrik të këtij viti, për të gjithë nënkuptonte edhe rënien e qeverisë dhe ardhjen e zgjedhjeve të parakohshme. Por shumë persona që kërkonin të punësoheshin në qeveri, ia kanë arritur ta realizojnë qëllimin e tyre edhe pas dorëheqjes së kryeministrit.
82 persona janë punësuar nëpër ministri, ndonëse kryeministri në largim dhe disa nga ministrat e qeverisë së tij kishin deklaruar se nuk e dinin pozitën e tyre pas dorëheqjes. Përveç këtyre 82 vetave, janë 156 persona tjerë që ende presin të punësohen nëpër ministri dhe në Zyrën e Kryeministrit, kur kanë mbetur më pak se 3 javë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, shkruan Gazeta Sinjali.
Duket se as vetë Ramush Haradinaj nuk e ka trajtuar seriozisht dorëheqjen e tij në fund të korrikut. Zyra e Kryeministrit pas dorëheqjes së tij ka kërkuar t’i punësojë dy persona: një specialist në fushën e mbrojtjes nga diskriminimi dhe një drejtor të Zyrës për Buxhet dhe Financa. Konkursi i dytë është shpallur para një jave.
Me punësime pas dorëheqjes së Haradinajt, prinë Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike. Në ministrinë e udhëhequr nga Dardan Gashi janë punësuar 19 persona.
82 personat e punësuar kanë marrë pozita pune nga më të ndryshmet.
Më së shumti të punësuar ka pasur në postin e “Zyrtarit të Lartë Ligjor”, por nuk mbeten shumë prapa as pozitat e tjera, nga “vozitës” e deri te “Zyrtar për Zhvillim Ekonomik”, një pozitë pune në Ministrinë e Integrimit Evropian!
Në vijim, Gazeta Sinjali ju sjellë numrin e të punësuarve nëpër ministritë tjera, si dhe nurmin e atyre që janë në proces të përzgjedhjes dhe presin të punësohen, që nga dorëheqja e Ramush Haradinajt e deri tash.
Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës
12 të punësuar, 6 presin të punësohen.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit
2 të punësuar, 20 presin të punësohen.
Ministria e Financave
5 të punësuar, 8 presin të punësohen.
Ministria e Shëndetësisë
5 të punësuar, 2 presin të punësohen.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
8 të punësuar, 19 presin të punësohen.
Ministria e Integrimit Evropian
2 të punësuar, 6 presin të punësohen.
Ministria e Drejtësisë
17 presin të punësohen.
Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë
2 të punësuar, 12 presin të punësohen.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale
2 të punësuar, 1 pret të punësohet.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë
5 të punësuar, 15 presin të punësohen.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik
8 të punësuar, 12 presin të punësohen.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor
5 të punësuar, 5 presin të punësohen.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal
18 presin të punësohen.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural
4 të punësuar, 17 presin të punësohen.
Ministria e Administratës Publike
3 të punësuar, 11 presin të punësohen.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim nuk kanë të publikuar asnjë vendim për punësime apo konkurse pune që nga dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit. /Gazeta Sinjali/