image 700 mijë euro për trajtimin e qenve endacak, vazhdon vaksinimi i tyre kundër tërbimit

Kosovë

700 mijë euro për trajtimin e qenve endacak, vazhdon vaksinimi i tyre kundër tërbimit

news image

Qentë endacak në Kosovë janë problem serioz, pasi mungon strehimi dhe ushqimi i rregullt për ta. Nuk janë të pakta rastet kur qytetarët janë sulmuar prej qenve, sidomos gjatë sezonit të dimrit. Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kanë bërë të ditur për Gazetën Sinjali se në fillim të muajit maj ka nisur projekti për “Menaxhimin dhe kontrollin e qenve endacak”, i cili do t’i kushtojë buxhetit të vendit 700 mijë euro.

Zëdhënësi i AUV, Lamir Thaçi për Gazetën Sinjali ka theksuar se projekti përfshinë kapjen, sterilizimin, kastrimin, trajtimin, vaksinimin si dhe identifikimin e qenve endacak. Sipas tij, në rastet kur veterinari vlerëson se qeni ka sëmundje apo paraqet rrezik bëhet eutanazimi.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në fillim të muajit maj ka nisur projektin për ‘Menaxhimin dhe kontrollin e qenve endacak’ përmes subjekteve profesionale veterinare të licencuara/kontraktuara, në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Projekti përfshinë kapjen, sterilizimin/kastrimin, trajtimin, vaksinimin si dhe identifikimin, e qenve endacak.  Në rastet kur veterinari vlerëson se qeni ka sëmundje  apo paraqet rrezik bëhet eutanazimi. I gjithë trajtimi, nga momenti i zënies kryerjes se shërbimeve mjekësorë qëndrimit në strehimore deri të lirimi në vendin e zënies do të bëhet   në mënyrë humane duke legjislacionin në fuqi”, ka thënë Lamir Thaçi për Gazetën Sinjali.

Ai ka theksuar se qentë endacak mund të jenë rrezik për sigurinë dhe shëndetin publik në rast se qentë nuk janë të trajtuar dhe nuk kanë marrë shërbimet e duhura nga profesionistë. Ai ka bërë të ditur se përveç sterilizimit dhe kastrimit është duke u bërë edhe vaksinimi i qenve kundër sëmundjes së tërbimit dhe trajtimin me preparate kundër sëmundjeve parazitare.

“Qentë endacak mund të jenë në çdo kohë mundë të jenë rrezik për sigurinë dhe shëndetin  publike në rast se nuk janë të trajtuar dhe nuk kanë marrë shërbimet e duhura  nga profesionist. Për këtë arsye shteti e ka deleguar ketë si punë tek  AUV,  përveç sterelzimit/kastrimit është duke u bërë edhe vaksinimi i qenve kundër sëmundjes së Tërbimit dhe trajtimin me preparate kundër sëmundjeve parazitare”, ka thënë ai.

Projekti për “Menaxhimin dhe kontrollin e qenve endacak” kushton 700 mijë euro dhe do të zhvillohet deri në prill të vitit të ardhshëm.

“Kosto e këtij projekti është 700,000.00 € (shtatëqind mijë €) dhe do të zgjasë deri në muajin Prill 2021”, ka thënë zëdhënësi i AUV.

Sipas Thaçit, shifrat e qenve të cilët janë trajtuar janë duke u përditësuar dhe nuk kanë shifër të saktë deri më tani.

“Ky projekt është duke vazhduar në gjithë territorin e vendit, çdo ditë pranojmë raporte nga subjektet veterinare të kontraktuara mbi trajtimin e qenve endacak. Këto të dhëna janë vazhdimisht duke u përpunuar në mënyrë që të dalim me raporte se sa është numri i qenve i trajtuar deri më tani. Shërbimet apo mbarëvajtja e punës  qe po kryhen ne teren është duke u monitoruar nga zyrtaret- inspektorëve veterinar të AUV-së dhe organizatat për të drejtat e kafshëve”.

Shteti i Kosovës nuk e ka asnjë qendër për strehimin e qenve pasi një të tillë nuk e parasheh ligji aktual, por ka vetëm qendra për trajtim të përkohshëm.

“Kemi lobuar në Komunën e Prishtinës dhe Prizrenit që të marrin vendime të ndërtojmë qendra të trajtimit të përkohshëm në nivel komunal, dhe përmes se cilave do bëhej ulja drastike e numrit të qenve në këto dy qytete, si dhe do krijohej një mekanizëm adoptimi shumë më i qëndrueshëm i cili do monitorohej nga vetë shoqëria civile”, ka thënë kohë më për Gazetën Sinjali, Elza Ramadani udhëheqëse e Fondacionit për të drejtat e kafshëve. /Gazeta Sinjali/