Gjykata Kantonale ka parë si të argumentuar se goditjen vdekjeprurëse me thikë mbi brazilianin e kishte bërë kosovari dhe jo shtetasi i Maqedonisë, i cili konsiderohej fajtor deri tash.
Në kërkim e sipër të fajtorit për vdekjen e një të riu brazilian, të therur në vitin 2009 në Hohenrain, Gjykata Kantonale e Lucernit ka ndryshuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë. Ndryshe nga Gjykata Penale, kjo e Kantonit, fajtor për vrasjen e ka shpallur një kosovar.
I akuzuari, i cili sot është 33-vjeçar, u shpall nga Gjykata Kantonale fajtor për vrasje me paramendim eventual dhe për sulm. Për këto vepra penale, kosovari është dënuar me 7 vjet e dy muaj heqje lirie.
Kjo gjykatë, në cilësinë e Gjyqit të Apelit, e ka parë si të argumentuar se goditjen vdekjeprurëse me thikë mbi brazilianin, atëbotë 24-vjeçar, e kishte bërë kosovari dhe jo shtetasi i Maqedonisë, sot 37-vjeçar, i cili konsiderohej fajtor deri tash.
Gjykata Penale e kishte dënuar atë në vitin 2017 me 8 vjet e 3 muaj burgim për vrasje me thikë, transmeton albinfo.ch. Gjykata në fjalë këtë vendim e kishte marrë duke u bazuar në deklarimet e brazilianëve të tjerë, që kishin mbijetuar sulmin.
Krimi kishte ndodhur në një natë gushti të vitit 2009. Një kosovar, sot 28 vjeçar, kishte dashur të hakmerrej për një goditje me grusht që kishte marrë më parë në një festë në Hochdorf. Kështu, ai me dy shokë të tij kishin sulmuar brazilianët me çekiç, sprej dhe me thika. Njëri nga brazilianët ishite therrur pë vdekje ndërsa tre të dyshuarit kishin ikur nga vendi i ngjarjes.
Prokuroria fillimisht e kishte shenjuar kosovarin 33 vjeçar si person që kishte bërë therrjen dhe për këtë vepër penale kishte kërkuar së paku 6 vjet burg për të. I dyshuari në fjalë, pak ditë pas krimit kishte ikur në Kosovë kështu që vetëm në vitin 2015 qe bërë e mundur të merrej në pyetje.
Ai, një student i farmacisë, kishte deklaruar se kishte ikur nga frika për të fajësuar shtetasin e Maqedonisë. “Unë kisha frikë se ai do të më hakmerrej. Vërejtjes së trupit gjykues se ai kishte ikur në Kosovë vetëm pasi ishte bërë arrestimi i shokut në fjalë, ky i ishte përgjigjur duke thënë se “ai ka shumë kushërinj”.
I akuzuari pretendon se vetëm nga teleteksti kishte marrë vesh, dy ditë pas ngjarjes, se në Hohenrain kishte vdekur një person. Njëkohësisht, i pyetur nga gjyqtari për nivelin e njohjes së gjermanishtes, ai ka thënë se nuk e njihte pothuajse fare këte gjuhë. Pyetjes së sërishme, ai i është përgjigjur duke thënë se njoftimin nga teleteksti e ka përkthyer me google.
Mbrojtja e shtetasit të Maqedonisë ka kërkuar për klientin e vet një dënim pjesërisht me kusht pre tri ose më pak vitesh, për veprën penale, pjesëmarrje në sulm.
Edhe avokati i kosovarit tjetër (28 vjeçar) pjesëmarrës në sulm synonte një dënim prej më pak se dy vitesh burg, dënim që do ta shpëtonte klientin e tij nga dëbimi në Kosovë. Por trupi gjykues i ka shqiptuar atij një dënim prej tre vitesh dhe tre muajsh burg.