Një burrë që u burgos gabimisht për 19 vite për vrasjen e një polici me gradë të lartë në Australi është kompensuar me 7 milionë dollarë.
David Eastman u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 1995 për vrasjen e Colin Winchester, një ndihmës komisioner i Policisë Federale Australiane.
Winchester u vra 6 vite para dënimit të Eastman, i cili u lirua vitin e kaluar pasi u shpall i pafajshëm.
Ndërsa vrasja e policit mbetet ende mister.
Vrasja e tij tronditi gjithë institucionet ligjore dhe politike dhe ndezi një nga hetimet më të mëdha policore në vend.
Eastman, 74-vjeç, më parë kishte refuzuar ofertën 3.8 milionë dollarë për dëmshpërblim nga qeveria australiane.
Në seancat gjyqësore, ai tha se kishte humbur mundësinë për të pasur një familje dhe një karrierë për shkak të burgosjes.
Nëna e tij dhe dy motrat gjithashtu vdiqën gjatë periudhës që ai ishte në burg.
“Ka humbur një pjesë të konsiderueshme të jetës së tij,”-tha avokati Sam Tierney, jashtë Gjykatës Supreme.
Winchester u qëllua dy herë në kokë jashtë banesës së tij në Canberra. Ai është oficeri më i lartë i policisë që është vrarë në Australi.
Eastman, në atë kohë shërbyes publik, u identifikua si i dyshuar. Sipas deklaratave të asaj kohe ai kishte dërguar kërcënime në polici në lidhje me trajtimin e një ngjarje kriminale.
Pasi u burgos, Eastman kaloi 19 vjet duke luftuar për lirinë e tij.
Në një gjyq vitin e kaluar, kur u përfshinë më shumë se 100 dëshmitarë, çoi në lirimin e tij. Menjëherë pas kësaj bëri kërkesën për dëmshpërblim.