image 67-vjeçarja i mbijeton virusit, pas 196 ditësh në spital

Shëndeti

67-vjeçarja i mbijeton virusit, pas 196 ditësh në spital

news image

Gruaja 67-vjeçare në Michigan u kthye në shtëpi këtë javë pas 196 ditësh në spital, ajo ishte e infektuar me COVID-19. Kjo është një nga periudhat më të gjata që ka qëndruar një pacient gjatë pandemisë, shkruan Gazeta Sinjali.

“Kjo gjë ndryshoi gjithë jetën time,”- tha Deanna Hair për NBC News. “I gjithë procesi nga momenti i infektimit, qëndrimi në spital, të qenit në ventilator dhe rikuperimi, dukej sikur po më shteronte fuqitë.”

Deanna dhe bashkëshorti i saj, Ken Hair, nga Ann Arbor-i, raportuan simptoma pasi u kthyen nga Kalifornia në mes të marsit. Të dy dolën pozitiv, por ndërsa bashkëshorti i saj pati simptoma të lehta, Deanna kishte temperaturë, kollë dhe të vjella.

Pas shtrimit në spital, Deanna u diagnostikua edhe me një problem në zorrën e trashë. Sipas doktorëve në spitalin ‘Michigan Medicine’, në momentin kur pas infektimit me Covid-19 keni simptoma të rënda  mund t’ju zhvillohen mpiksje të mëdha gjaku. Deanna gjithashtu vuajti nga infeksione të shumta në kraharor dhe pati mjaft probleme me veshkat.

“Menduam se do të vdiste. Jemi thirrur tre herë nga spitali për ti dhënë lamtumirën e fundit, çdo herë duke besuar se ishte e fundit, por me shumë mundim ajo ja doli.”- thotë djali i saj.

Në shtator ajo filloi rehabilitimin. Gjatë gjithë kësaj kohe e shtrirë në shtrat, Deanna humbi fuqinë e muskujve dhe kishte vështirësi për të bërë edhe lëvizjet themelore të njeriut. Pas 196 ditësh ajo mundi të dilte nga spitali me karrocë me rrota.

Gjithashtu Deanna, si njeriu që ka qëndruar kohën më të gjatë në spital pas infektimit me Covid-19, tha një mesazh për gjithë njerëzit nëpërmjet NBC News.

“Ishte shumë e vështirë, por ajo që më mbajti gjallë ishte mbështetja e familjes. Covid-19 është një virus vdekjeprurës. Mos i shmangni masat paraprake. Vishni maskën, lani duart dhe mbani distancë shoqërore. Kujdesuni për veten dhe për ata që doni.” /Gazeta Sinjali/