image 67 persona të vdekur në burgjet e Kosovës, 16 të vetvrarë

Kosovë

Siguria/ 67 persona të vdekur në burgjet e Kosovës, 16 të vetvrarë

news image

67 të burgosur kanë vdekur në burgjet e Kosovës nga viti 1999 e deri tash. Kështu thuhet në një analizë të publikuar nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut

Prej tyre, 51 kanë vdekur nga sëmundjet, kurse 16 janë vetëvrarë, shkruan Sinjali.

Për të marrë masa parandaluese për vetëvrasjen e të burgosurve, KMDLNj propozon që Shërbimi Korrektues i Kosovës, Shërbimi Shëndetësorë i Burgjeve, organizatat që i monitorojnë këto shërbime, si dhe shërbimet tjera profesionale psikologët, psikiatrat , punëtorët socialë , sociologët , edukatorët etj., të ulen në një raund të konsultimeve duke identifikuar shkaktarët e mundshëm dhe në bazë të tyre të dalin me rekomandime për trajtimin e këtyre rasteve.

Analiza e KMDLNj-së:

MBI VDEKJET DHE VETËVRASJET NË BURGJET E KOSOVËS 1999-2019

Rasti i fundit i vetëvarjes së të dënuarit F.I. 23 vjeçar nga Vushtrria, në vuajtje të dënimit në Burgun e Dubravës , me të drejtë nxiti reagime të shumta , si nga organizatat monitoruese , mediet elektronike dhe të shkruara, vet SHKK –ës dhe opinionit në Kosovës. Rasti i vetëvarjes së të dënuarit F.I. ka ndodhur me 5 shtator 2019 dhe , sipas informatave të KMDLNj –së , rasti është duke u hetuar , janë suspenduar dy oficerë korrektuese dhe është qartësuar një linjë hetimi që ka të bëjë me rastin konkret. KMDLNj , në bazë të një informate të një të burgosuri ka kërkuar të hetohen shkaqet rrethanore që mund të kenë ndikuar në mënyrë direkte apo indirekte në vetëvarjen e F. I . në Burgun e Dubravës. Në ndërkohë pati reagime të paverifikuara se mungesa e përkujdesjes shëndetësore si dhe dhuna fizike e përdorur ndaj të ndjerit F. I.  mund të kenë ndikuar në përfundimin tragjik të jetës së një të d ënuari , në rastin konkret të F.I. Pastaj , në medie dolën informata të paverifikuara për numrin e vetëvrasjeve në burgjet e Kosovës në ndërkohë që nuk bëhej dallimi fare midis rasteve që kanë vdekur si pasojë e sëmundjeve të pashërueshme dhe rasteve të vetëvrasjeve duke krijuar në këtë mënyrë një pasqyrë joreale për trajtimin që e kanë të privuarit nga liria në qendrat e paraburgimit dhe qendrat korrektuese në Kosovë si edhe shërbimeve shëndetësore që iu ofrohen në këto institucione të privimit nga liria. Përkundër disa lëshimeve dhe gabimeve , KMDLNj , me përgjegjësi morale , profesionale dhe ligjore ka pohuar dhe pohon se Shërbimi Korrektues i Kosovës është shërbimi më i mirë krahasuar me vendet e rajonit e që të njëjtin qëndrim apo të përafërt e kanë edhe IAP dhe organizatat tjera monitoruese , vendore dhe ndërkombëtare. Sipas të dhënave të KMDLNj –së e që janë edhe të dhëna të SHKK –ës  por edhe të organizatave tjera monitoruese gjatë tri viteve të fundit ( 2017 , 2018 dhe 2019 ) në burgjet e Kosovës kanë vdekur dhe vetëvrarë 15 të burgosur  prej tyre 12 kanë vdekur nga sëmundjet kurse 3 janë vetëvrarë. Kështu , në vitin 2017 numri i vdekjeve nga sëmundjet është 6 të burgosur ndërsa të vetëvrarë janë 0. Në vitin 2018 2 të burgosur kanë vdekur nga sëmundjet kurse 1 i burgosur është vetëvrarë. Ndërsa , që nga fillimi i vitit 2019 e deri më tani 4 të burgosur kanë vdekur nga sëmundjet natyrore kurse 2 të burgosur janë vetëvrarë. Nëse i marrim të gjitha rastet e vdekjeve dhe të vetëvrasjeve , që nga viti 1999 e derë më 9 shtator 2019 del se kanë vdekur 67 të burgosur prej tyre 51 kanë vdekur nga sëmundjet kurse 16 janë vetëvrarë. Nëse krahasohet numri i të të burgosurve që janë vetëvrarë në Kosovë me të njëjtën kategori në SHBA dhe BE del se në Kosovë në 100.000 të burgosur , kanë bërë vetëvra sje 18 të burgosur. Në SHBA  , në 100.000 të burgosur janë 100 të burgosur të vetëvrarë kurse në vendet e BE-së , në 100.000 të burgosur janë 120 deri në 150 të vetëvrarë.

KMDLNj ka një përvojë të gjatë monitruese në institucionet e privimit nga liria ( ndalimi policor , qendrat e paraburgimit , qendrat korrektuese sikur edhe të tjera ) , që nga viti 1999. Përkundër problemeve që e kanë pëprcjellë Shërbimin Korrektues të Kosovës , kryesisht të natyrës materiale por edhe logjistike , numri i të burgosurve ndaj të cilëve është përdorur forcë joproporcionale fizike është i papërfillshëm krahasuar me vendet e rajonit dhe shumë shtete të BE-së dhe SHBA . Mos të flasim për trajtimin e të burgosurve në Amerikën Latine , shtetet aziatike apo Afrikë. Nëse krahasohen raportet dhe statistikat atëherë Kosovën e nxjerrin në mesin e shteteve që në aspektin e trajtimit fizik të personave të privuar nga liria qëndron në majat e këytre listave në aspektin pozitiv.

Sa i përket trajtimit shëndetësorë , Shërbimi Shëndetësorë i Burgjeve e ndanë fatin e institucioneve shëndetësore publike.Nuk qëndron fakti se të burgosurve u mohohet mbrojtja shëndetësore , se nuk ka barëra apo se mungojnë psikologët , psikiatrat dhe profili tjetër mjekësorë . Në çdo qendër korrektuese por edhe në disa qendra të paraburgimit ka psikologë me orarë të plotë , psikiatra sipas kërkesës dhe nevojës ndërsa mbikëqyrja shëndetësore është 24 orë kurse në raste të urgjencës dërgohen në spitalet rajonale apo në QKUK-ë. Të gjitha organizatat dhe institucionet që monitorojnë të drejtat e personave të privuar nga liria kanë qasje të plotë në kartonin ( dosjen ) shëndetësore të gjithë personave të privuar nga liria ku janë të shënuara të gjitha problemet shëndetësore që i kanë pasur më parë , që i kanë fituar gjatë qëndrimit në burg , janë të evidentuara të gjitha vizitat mjekësore brenda dh e jashtë institucioneve të burgut sikur që shënohet lloji dhe koha e terapisë që ia cakton mjeku  dhe që i jepet personit të burgosur. Sidomos gjatë qëndrimit në vetmi , veçim apo kur është nën regjim të mbikëqyrjes së shtuar , i burgosuri vizitohet çdo ditë nga mjeku. Në raste të vdekjes apo vetëvrasjeve të personave të privuar nga liria bëhet obduksioni dhe përpilohet raporti për shkaqet dhe natyrën e vdekjes. Kjo është në pika të shkurtëra për të sqaruar opinionin për gjendjen reale në burgjet e Kosovës edhe sa i përket trajtimit fizik , ashtu edhe atij shëndetësorë.

KMDLNj e sheh problemin e SHKK te mungesa e stabilizimit të menaxhmentit në pozita udhëheqëse , ndërrimin e shpesht të këtij stafi dhe ndikimin politik gjatë rekrutimit të pozitave udhëheqëse , mungesës së trajnimit të stafit për kategori të caktuara siç janë : për të miturit me masë edukative apo të miturit e dënuar , mungesë e stafit profesional për femrat e burgosura , për të dënuarit që janë vartës nga narkotikët , stafit për punë me pjesëtarë të pakicave kombëtare e që janë të burgosur si dhe mungesë e stafit që do të punojnë me kategorinë e ashtuquajtur të burgosur të radikalizuar.

KMDLNj , si dhe organizatat tjera monitoruese kanë kërkuar që të dënuarit me diagnozë terciare dhe me sëmundje që përfundojnë me fatalitet , të lirohen ga vuajtja e dënimit apo të gjendet ndonjë formë që pjesën e mbetur të jetës ta kalojnë pranë familjes. Po të përfillej ky rekomandim i KMDLNj –së dhe organizatave tjera monitoruese nuk do të ndodhte që të burgosurit me kancer apo sëmundje tjera të pashërueshme të vdesin në burgje por do të vdisnin në shtëpi apo në ndonjë institucion shëndetësorë ku do të dërgoheshin nga familja. Po të përfillej kërkesa e KMDLNj –së dhe organizatave  tjera monitoruese , nuk do të ndodhte që një kufomë e gjallë siç është rasti i Driton Hajdarit të mbahet në burg dhe të presim 19 shtatorin kur Paneli për Lirim me Kusht so të vendosë për lirim me kusht nëse deri atëherë do të jetë gjallë. Sipas informatave të KMDLNj –së , janë 12 deri 15 raste kur të burgosurit m bahen në burgje me një diagnozë terciare dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe në këtë  mënyrë i shkaktojnë shumë probleme Shërbimit Shëndetësorë të Burgjeve dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës , si adresa të vetme të përgjegjësisë për vdekjen e të burgosurve ndonëse përgjegjësi e tyre është ta ekzekutojnë vendimin e një gjykate . Hakmarrja e shtetit ndaj atyre që e shkelin ligjin duhet të përfundojë me shqiptimin e dënimit pastaj , me të burgosurit duhet të merren shërbimet e tjera , në radhë të parë Shërbimi Korrektues i Kosovë dhe për këtë duhet të ketë kompetenca të plota që deri më tani nuk është ashtë e për më keq i janë marrë edhe disa kompetenca që i ka pasur.

Personat e privuar nga liria në Kosovë kanë nevojë të punojnë dhe me këtë kanë mundësi të përfitojnë beneficione si dhe një buxhet vetanak. Beneficionet e fituara me punë , si mjeti më efikas i risocialoizimit dhe sjellje janë hallka kryesore e zingjirit , që nga dita e parë e vuajtjes së dënimit e deri te lirimi i parakohshëm. Të burgosurit në Kosovë duhet ta kenë ofertën e qartë se çka fitojnë nëse e pranojnë dhe e kalojnë programin e risocializimit dhe për këtë duhet të kenë garancë e që deri më tani nuk ka qenë kështu.

Të burgosurit në Kosovë duhet të pëprfitojnë më shumë nga Paneli për Lirim me Kusht , nga falja e presidentit dhe Kosova duhet ta ketë ligjin për Amnisti e të cilin nuk e ka apo e ka zbatuar sipas parimit etnik ose atij politik.

Të burgosurit në Kosovë duhe të kenë më shumë vikende kurse ata që janë në marëdhënie të rregullt pune gjatë vuajtjes së dënimit duhet t’i gëzojnë të gjitha të drejtat që iu garanton Ligji i Punës duke e përfshirë edhe pushimin vjetor në shtëpi apo vend ku ata e vendosin.

Në Kosovë duhet përfundimisht të eliminohet kategoria e VIP të burgosurve që në të shumtën e rasteve ( edhe për beneficione sikur edhe për shërbime shëndetësore ) përfitojnë në kurriz të atyre që vërtetë e meritojnë por se nuk kanë përkrahje politike , nuk janë të fuqishëm materialisht apo kanë qenë pa status shoqërorë para se të fillojnë vuajtjen e dënimit.

Si përfundim, për të marrë masa parandaluese për vetëvrasjen e të burgosurve KMDLNj propozon që Shërbimi Korrektues i Kosovës , Shërbimi Shëndetësorë i Burgjeve , organizatat që i monitorojnë këto shërbime si dhe shërbimet tjera profesionale ( psikologët , psikiatrat , punëtorët socialë , sociologët , edukatorët etj.) të ulen në një raund të konsultimeve duke identifikuar shkaktarët e mundshëm dhe në bazë të tyre të dalin me rekomandime për trajtimin e këtare rasteve .

Hulumtimin për të drejtat e të burgosurve të radikalizuar dhe të margjinalizuar e ka përkrahur Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS.