image 5 Sukseset e Vitit 2021 në basketbollin e Kosovës - Sinjali

5 Sukseset e Vitit 2021 në basketbollin e Kosovës

news image

Federata e Basketbollit e Kosovës gjatë vitit 2021 kishte një kalendar të ngjeshur dhe me shumë aktivitete. Përkundër vështirësive nuk munguan sukseset në garat vendore dhe ndërkombëtare.

Në rrafshin vendor, veçojmë themelimin e Qendrës Nacionale, kurse në atë ndërkombëtar tri medalje nga Përfaqësueset e Kosovës dhe së fundi fitorja ndaj Danimarkës për festën e 28 Nëntorit.

Qendra Nacionale e Basketbollit

Një projekt shumë i rëndësishëm për basketbollin e Kosovës ka filluar më 18 Tetor nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK).

Për herë të parë në vendin tonë, ka filluar Qendra Nacionale e Basketbollit, ku janë përzgjedhur lojtarët me potencial për të ardhmen.

Në këtë Qendër Nacionale janë grumbulluar 16 lojtarë (13 e 14 vjeç) nga e gjithë Kosova, ndërsa do të mbikëqyren nga Valentin Spaqi, Driton Obërtinca dhe Arben Krasniqi. Në vitin e ardhshëm do të fillohet edhe në konkurrencën e femrave.

Basketbollistët janë grumbulluar në Qendrën Social-Edukativo “Don Bosko” në Prishtinë. Ata po stërviten dy herë në ditë gjatë pesë ditëve të javës, kurse në fundjavë do të luajnë në klubet e tyre.

Gjithashtu do të kenë shumë ndeshje miqësore, si dhe do të luajnë ndaj shteteve tjera.

Ky është një projekt madhor dhe shumë i rëndësishëm për basketbollin e Kosovës, ku grumbullohen lojtarët/et me potencial për të ardhmen, e më pas do të jenë pjesë e Përfaqësueseve të Kosovës.  

FBK gjithmonë i ka kushtuar rëndësi gjeneratave të reja dhe ky është projekti i radhës, që gjeneratat e reja të zhvillohen edhe më shumë.

Basketbollistët që dalin nga Qendra Nacionale e Basketbollit do të jenë një ndihmë e madhe për të gjitha Përfaqësueset e reja të Kosovës, por edhe basketbollin e Kosovës.

Vashat e Kosovës fitojnë medaljen e bronztë në Qipro

Basketbollistet e Kosovës e fituan medaljen e bronztë në debutimin e tyre në Kampionatin Evropian të Basketbollit për Shtete të Vogla në Qipro.

Kosova e mundi Maltën 70:60 me një rikthim fantastik në çerekun e fundit, për ta zënë vendin e tretë në këtë turne.

Dardanet kishin humbur në gjysmëfinale nga Irlanda 86:72.

Kosova doli e dyta në fazën grupore duke me një fitore, ndaj nikoqires Qipros, dhe një humbje ndaj Luksemburgut.

Gjashtë Kombëtare morën pjesën në këtë turne pesëditor, Andorra, Qipro, Irlanda, Kosova, Luksemburgu dhe Malta.

Kjo ishte hera e parë që Kosova A garoi në arenën ndërkombëtare dhe debutuan me medalje të bronztë.

Kosova U18, kampione e Challenger në Tiranë

Kosova ka mundur në finale Luksemburgun 84:58 (26:20, 20:25, 22:3, 16:10) për të triumfuar në FIBA European Challenger, për U18 te meshkujt, kampionat që u zhvillua në Tiranë.

Dardanët shënuan katër fitore në katër ndeshje dhe me meritë u shpall kampione e kësaj gare. MVP i këtij kampionati u shpall Visar Ejupi i Kosovës.

Te Kosova në finale u dalluan Dion Sheqiri me 14 pikë, 8 kërcime e 9 asistime, Hajriz Hazeri me 11 pikë e 10 kërcime, Rinol Gashi me 13 pikë e 10 kërcime, Visar Ejupi me 14 pikë, Eliot Peci me 13 dhe Bardh Istrefi me 10 pikë. 

Vendin e tretë e zuri Shqipëria, të katërtin Andorra, Gjibraltari u rendit i pesti, Malta të gjashtin dhe Moldavia të shtatin.

Kosova mundi Shqipërinë 85:62, Moldavinë 108:45, Andorrën 80:71 dhe Luksemburgun në finale 84:58.

Dardanët e rinj triumfojnë në Prishtinë

Kosova U16 ka zhvilluar paraqitje fantastike në FIBA European Challenger për meshkuj që u zhvillua në Prishtinë, duke shënuar pesë fitore bindëse në pesë ndeshje të zhvilluara. Madje, me 7-8 basketbollistë, pas infektimit me Covid të katër lojtarëve, kjo nuk i pengoi lojtarët të japin maksimumin dhe të triumfojnë në shtëpi.

Dardanët e rinj shënuan fitore ndaj Maltën 117:20, Moldavinë 122:42, Gjibraltarin 98:19, Shqipërinë 103:46 dhe Luksemburgun 86:43.

MVP i Evropianit në Prishtinë u shpall Rron Dahsyla i Kosovës.

Fitorja kundër Danimarkës

Kosova shënoi fitore të madhe, duke e mundur Danimarkën 78:73 (19:18, 20:16, 22:13, 18:27), në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet e FIBA Eurobasket 2025.

Te Kosova u dalluan Valon Bunjaku dhe Drilon Hajrizi me nga 14 pikë dhe Dardan Berisha me 16.

Kosova ka një fitore dhe një humbje, ndërsa Danimarka një humbje.

Danimarka është një Përfaqësuese me traditë në basketbollin evropian dhe një kundërshtar shumë i fortë.

Dardanët në muajin shkurt të vitit të ardhshëm e presin në shtëpi Norvegjinë dhe në muajin qershor udhëtojnë drejt Danimarkës, për sfidën e fundit në grup. /Gazeta Sinjali Sporti/ 


Shpërndaje artikullin