image 49 vjet burgim për personat nga Deçani që kryen vrasje me pagesë

Kosovë

49 vjet burgim për personat nga Deçani që kryen vrasje me pagesë

news image

Të akuzuarit Bekim Raja, Avni Sinanaj, Murat Sinanaj dhe Gjon Pnishi janë dënuar me 49 vjet burgim për vrasjen e Ferdinand Gjinit gjatë ditës së sotme nga Gjykata Themelore në Pejë.

Sipas aktgjykimit të shpallur gjatë ditës së sotme, i akuzuari Murat Sinanaj është dënuar me 19 vjet burgim, Bekim Raja me 15 vjet burgim, Avni Sinanaj me 9 vite burgim, ndërsa i akuzuari i fundit Gjon Pnishi është dënuar me 6 vjet burgim.

Fillimisht, në këtë rast ka qenë i akuzuar Gjon Pnishi, i cili ishte shpallur fajtor për këtë vrasje. Ai u dënua me 17 vjet burgim për vrasje të rëndë, ndërsa dy vjet të tjera për armëmbajtje dhe shfrytëzim pa autorizim të saj. Gjithsej, gjykata dënim unik llogariti 18 vjet për vrasësin 40 vjeç.

Por, pas këtij dënimi, ai ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorinë në lidhje me vrasjen e Ferdinand Gjinit, për çka edhe Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim, në shkurt të vitit 2017.

Në anën tjetër sipas aktakuzës së ngritur më 26 korrik 2018 nga Prokuroria Themelore në Pejë, të pandehurit Avni Sinanaj, Murat Sinanaj dhe Bekim Raja akuzohen se në maj të vitit 2012 në Zvicër, i pandehuri Bekim Raja me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt, e ka porositur të pandehurin Gjon Pnishi, që ky i fundit së bashku me të pandehurin Avni dhe Murat Sinanaj, ta kryejnë vrasjen e viktimës Ferdinand Gjinit, duke premtuar dhe dhënë shpërblim prej një qind mijë franga zvicerane.