Gazeta Sinjali pak më parë raportoi se një person me inicialet J.M, është ndaluar për 48 orë sot nga Policia e Kosovës nën dyshimin se në mënyrë të kundërligjshme e ka fituar një tender për renovimin e Spitalit të Gjilanit.
Shuma e tenderit që u fitua jashtëligjshëm është 47 mijë euro.
“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan në bashkërendim me autoritetet kompetente, gjatë hetimeve të zhvilluara nga fillimi i muajit Tetor 2021, në lidhje me një tender (në Spitalin e përgjithshëm në Gjilan), ka arritur të siguroj prova se operatori ekonomik (SH.P.K.Prishtinë), në mënyrë të kundërligjshme dyshohet se shpallet fitues në shumën prej mbi (dyzet e shtatë mijë euro) 47.000 €, duke manipuluar me dokumentacionin ofertues”.
Kompania në fjalë, kishte aplikuar në këtë tender me dokumentacion me përmbajtje të rreme, dhe e njëjta kompani kishte përfunduar si Operatori Ekonomik fitues.
Ai dyshohet se ka kryer veprën “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
“Gjatë kontrollimit të dokumentacionit ofertues të kompanisë (SH.P.K. Prishtinë), është parë se Kompania në fjalë, kishte aplikuar në ketë tender me dokumentacion me përmbajtje të rreme, dhe e njëjta kompani kishte përfunduar si Operatori Ekonomik fitues”.
“Bazuar në të gjeturat gjatë hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari me iniciale (J.M.) pronar i kompanisë (SH.P.K. Prishtinë) dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
“Në konsultim me Prokurorin kompetent të lëndës i dyshuari i lartcekur me iniciale sot me Aktvendimi mbi ndalim për 48 orë është dërguar në mbajtje”. /GazetaSinjali/