46 për qind e punonjësve medialë nuk kanë përfituar nga Pakoja Fiskale Emergjente, ndërkohë që 43 për qind kanë pranuar mbështetje, madje ka raste edhe kur kanë përfituar vetëm punëdhënësit.
Gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët gjatë kohës së pandemisë përveç vështirësive në raportim, janë përballur me largime nga puna ose zvogëlim të pagës. Ndër tjera, shumë të tjerë kanë pasur rëndim të gjendjes mendore.
Kështu u tha në publikimin e raportit “Ndikimi i pandemisë COVID-19 në gjendjen ekonomike të gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve”, të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës me mbështetje të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).
Sipas AGK-së ky hulumtim më së shumti është bazuar në largimet nga puna dhe zvogëlimi i pagave të gazetarëve nëpër medium.
“Hulumtimi është realizuar nga hulumtuesja Lirika Demiri dhe fokusohet në largimet nga puna dhe zvogëlimi i pagave të gazetarëve, ndikimin e Pakos Emergjente në sektorin e medieve, si dhe mirëqenien fizike e mendore të punëtorëve medialë gjatë periudhës së pandemisë COVID 19”, thuhet në komunikatën e AGK-së.
Kurse drejtoresha Ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi Bojaj ka shprehur falënderimet në emër të këtij asociacioni për pjesëmarrjen e mediave si dhe falënderoi KFOS-in për nidhmën e dhënë gjatë këtij hulumtimi.
“Ky raport ka për qëllim të shpalosë gjendjen ekonomike apo ndikimin të cilin e ka pasur pandemia Covid 19 në gjendjen ekonomike të gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve. Me KFOS-in ka qenë bashkëpunimi i parë fare në fillim të pandemisë kur kemi kërkuar ndihmë nga ta që të sigurojnë mjete mbrojtëse për anëtarët tanë, gjegjësisht gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët, të cilët kanë qenë në vijën e parë të frontit duke u përballur me një të panjohur”, tha Mulliqi Bojaj.
Ndërsa, hulumtuesja e këtij raporti, Lirika Demiri tha se në këtë hulumtim janë anketuarë online rreth 120 punonjës medial.
“Raporti është rezultat i një hulumtimi që është zhvilluar prej muajit qershor të këtij viti deri në fund të muajit shtator. Kemi realizuar një anketë online me rreth 120 punonjës medialë – gazetarë, kameramanë dhe fotoreporterë, dhe kemi marrë përgjigjet e tyre që kanë të bëjnë kryesisht me ndikimin e pandemisë në gjendjen ekonomike të punonjësve medialë, si dhe me ndryshimin e dinamikës dhe vështirësitë e hasura gjatë raportimit në pandemi. Përveç anketës, ne kemi zhvilluar edhe intervista me gazetarë të ndryshëm dhe me profesionistë të fushës së medias”, ka thënë Demiri./Gazeta Sinjali/