Mbi 120 aktakuza për krime lufte janë ngritur kundër një numri të madh të të akuzuarve, përderisa nga gjykatat janë dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm vetëm 45 persona.
Për këtë mosefikasitet, njohës të fushës thonë se përgjegjësia mbetet të institucionet vendore, por edhe te ato ndërkombëtare si UNMIK e EULEX që deri vonë e kanë pasur kompetencë që të hetojnë e gjykojnë këto krime.
Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, tha se janë zhvilluar një numër i madh proceseve gjyqësore, por një pjesë e madhe e tyre nuk kanë përfunduar aktgjykim dënues të plotfuqishëm.
“Ka pasur një numër shumë të madh të akuzuarve ka pas një numër mbi 120 të akuzuar për krime lufte mirëpo deri më tash nga gjykatat në Kosovë janë dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm vetëm 45 persona. Është një numër më i madh i proceseve gjyqësore, por jo të gjitha kanë përfunduar me një aktgjykim dënues të plotfuqishëm”.
Ndonëse thotë se ka pasur përpjekje për ngritje të kapaciteteve në këtë fushë në Prokurorinë Speciale ku edhe funksionon një departament i veçantë, ai shton se është i nevojshëm angazhimi i një numri më të madh të prokurorëve dhe gjyqtarëve.
“Viteve të fundit ka pasur një ngritje të kapaciteteve, çoftë në departamentin për krime lufte pranë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, mirëpo gjithashtu është krijuar një departament Special pranë Gjykatës Themelore të Prishtinës, ku kapacitetet nuk mungojnë, ndoshta duhet të investohet ende dhe të kemi një numër më të madh të prokurorëve dhe gjyqtarëve që merren me këtë lëndë, por sigurisht edhe të hetuesve policorë mirëpo mendojë që kapacitetet janë duke u fuqizuar”.
Blakaj tha se me kalimin e kohës është shumë vështirë që të mblidhen provat për një proces gjyqësor, për faktin se një numër i madh i dokumenteve ndodhen në Serbi, por edhe se një numri i madh i dëshmitarëve tashmë nuk janë gjallë.
“Me kalimin e kohës dëshmitë humbin, nëse bëhet fjalë për dëshmitë forenzike tashmë është shumë vështirë të mblidhen ato dëshmi dhe për fat të keq edhe dokumentacionet e shkruara tashmë nuk ka qasje tek dokumentacionet që mund të jenë në arkiva në Serbi, ndërsa dëshmitë e dëshmitarëve me kalimin e kohës zbehen, mund të jenë më të pasakta, memoria e dëshmitarëve zbehet e për fat që keq ka edhe shumë dëshmitarë të mbijetuar të masakrave të ndryshme që kanë ndodhur gjatë luftës që tashmë nuk janë gjallë. Me kalimin e kohës është shumë vështirë që të mblidhen provat për një proces gjyqësor”.
Siç tha Blakaj Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë nuk është në favor të gjykimeve në mungesë ngase kjo praktikë bien ndesh me Konventat Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.
“Kodi i procedurës penale është ndryshuar, amandamentuar dhe është futur një nen i ri i cili tashmë është ligj dhe i cili mundëson ndjekjet apo gjykimet për krime lufte. Ne në Fondin për të Drejtë Humanitare nuk jemi shumë në favor të gjykimeve në mungesë për shumë arsye, një ndër to është se gjykimet në mungesë bien ndesh edhe me Konventat Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, mirëpo nëse shërbehemi edhe me përvojën e vendeve të tjera, në këtë rast të Kroacisë që i zbaton gjykimet në mungesë mirëpo si duket viktimat e krimeve të luftës dhe familjet e tyre nuk janë shumë të kënaqura me këto gjykime”.
Kurse Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) tha se Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme për hetimin e krimeve të luftës dhe se duhet të rritet numri i prokurorëve në Departamentin për Krime të Luftës.
Madje shtojë se nga viti 2016 kur Prokuroria Speciale e Kosovës ka marr kompetencat për të trajtuar krimet e luftës nuk është që ka pasur rezultate, duke shtuar se në këtë drejtim kane dështuar edhe institucionet ndërkombëtare, raporton EO.
“Duhet të ketë edhe fuqizim të resurseve të tjera çoftë në kuptim të resurseve çoftë të pajisjeve dhe çdo gjë tjetër që i duhet kësaj prokurorie. Adresa e vetme për hetimin e krimeve të luftës është ky departament pranë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Në asnjë rrethanë nuk mundemi me thënë se kemi kapacitete për hetimin e krimeve të luftës dhe këto kapacitete duhet fuqizuar në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës”.
“Deri më tani në Kosovë ka pasur një amnisti të heshtur ndaj krimeve të luftës dhe ka ndodhur për faktin se të njëjtat nuk janë hetuar dhe nuk janë gjykuar. Ky dështim në radhë të parë i referohet institucioneve ndërkombëtarë që kjo ka qenë në kompetencë të UNMIK-ut dhe ky dështim ka kaluar edhe tek EULEX. Secila ditë e kaluar e vështirëson hetimin. Secila kohë që kalon e vështirëson edhe hetimin. Vdesin dëshmitarët, humbin pistat e hetimeve apo edhe vdesin të pandehurit”.
Kurse për gjykimin në mungesë dhe se deri tani nuk ka pasur asnjë rast të tillë, po që thotë se kjo do të jetë tejet e vështirë.
“Miratimi i Projekt Kodit që ka të bëjë me gjykimet në mungesë nuk nënkupton që automatikisht do ta zgjidh problemin për shkak se duhet pasur parasysh edhe faktin se edhe vetë zhvillimi i gjykimit në mungesë përkundër rregullave të miratuara është jashtëzakonisht i vështirë për tu arritur dhe për t’u konsoliduar një gjykim. Deri më tani ne nuk e kemi pasur asnjë rast i cili është gjykuar në mungesë”.