image 41 pacientë të infektuar me HIV/AIDS në Kosovë

Shëndetësi

41 pacientë të infektuar me HIV/AIDS në Kosovë

news image

Në vitin 2021, në Kosovë janë regjistruar 8 raste të reja me HIV infeksion, prej tyre 7 janë nga komuniteti meshkujt që bëjnë marrëdhënie me meshkuj (MSM) dhe një fëmijë nën moshën 15 vjeç, ndërsa aktualisht në Klinikën Infektive shërbime mjekësore pas infektimit me HIV-AIDS po marrin 41 pacientë.

Në Kosovë gjinia më e atakuar nga ky lloj infektimit është ajo mashkullore, ndërsa me përqindje të infektimit prijnë moshat e reja.

Kështu ka bërë të ditur shefi i Repartit për HIV brenda Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Murat Mehmeti.

Ai tha se gjendja e këtyre pacientëve është relativisht e mirë dhe se trajtimi i tyre bëhet në kushte shtëpie.

“Tash për tash në evidencën tonë i kemi 41 raste të cilët trajtohen, marrin terapinë me rregull dhe që në përgjithësi janë pacientë të cilët ndihen mirë dhe nuk kanë ndonjë telashe të veçantë”.

Mehmeti thotë se moshat më të prekura nga ky lloj infeksioni për të cilën ende nuk është zbuluar një vaksinë janë kryesisht të rinjtë.

“Sikurse çdo ku sigurisht që mosha më e prekur është mosha seksualisht aktive dhe në përgjithësi janë moshat e reja dhe këto rastet e reja që i përmenda i takojnë kryesisht moshës së re”, tha ai për KP.

Shefi i Repartit për HIV brenda Klinikës Infektive pranë QKUK-së, Murat Mehmeti po ashtu theksoi se kjo Klinik është e furnizuar mirë me këtë terapi mjekësore për të infektuarit me këtë virus.

Ai madje u shpreh se barnat ofrohen falas për këta pacientë.

“Duke qenë se kem qenë në pandemi dhe kemi pas një fluks jashtëzakonisht të madh klinika realisht ka qenë e stërmbushur me pacientë ne megjithatë kemi arritur që personat me HIV t’i mbikëqyrim brenda mundësive që kemi pasur ajo çka është më e rëndësishme se këta persona që pavarësisht pandemisë dhe COVID-it nuk kanë mbetur në asnjë moment pa terapi që është gjëja më e rëndësishme dhe po ashtu sa i përket edhe analizave që ne i planifikojmë për këta persona i kemi realizuar. Me një fjalë nuk është që i kemi anashkaluar edhe personat me HIV përkundër pandemisë“, theksoi ai.

Ndërsa, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës thonë se në Kosovë deri më tani janë raportuar 139 raste me HIV dhe AIDS.

Përqindja më e lartë i takon gjinisë mashkullore me gjithsej 73%.

Gjatë ditës së sotme edhe ministria e Shëndetësisë ka bërë thirrje për tu testuar në kohë për virusin HIV.

Rasti i parë i infektimit me HIV/AIDS në Kosovë është regjistruar në vitin 1986.

Transmetimi i HIV-it mund të ndodhë nëpërmjet shkëmbimit të një shumëllojshmërie lëngjesh të infektuara të trupit të njeriut si gjaku./GazetaSinjali/