Vetëm gjatë kohës së pandemisë në Kosovë katër persona kanë kryer vetëvrasje, shkruan Gazeta Sinjali.
Vetëvrasja e parë gjatë pandemisë ndodhi në Gjakovë më 23 prill. Atje një grua e moshës 45-vjeçare vari veten në litar në një kthinë pas shtëpisë së saj, ku u gjet e vdekur nga familjarët e saj.
Vetëm 10 ditë më pas, më 3 maj, në Mitrovicë, një 60-vjeçare u gjet e varur në litar në banesën e saj. Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, për Gazetën Sinjali kishte thënë se e ndjera jetonte e vetme.
Po në Mitrovicë, gjashtë ditë më pas, më 9 maj, një 38-vjeçar vari veten me litar në oborrin e shtëpisë së tij.
Ndërkaq, vetëvrasja e fundit ndodhi në Zveçan, dje në orën 13:35. Policia në raportin 24 orësh njoftoi sot se personi që u vetëvra ishte i gjinisë mashkullore, por nuk ka dhënë më shumë detaje për moshën ose vendin e ngjarjes.
Sipas sociologut Ferdi Kamberi, çështja e vetëvrasjes është një çështje komplekse e cila si fenomen nuk është e re në mjedisin tonë social, atë thotë se e hasim edhe më herët, por jo me këto shifra të cilat kanë ndodhur pas vitit 1999 e këtej. Kjo rritje sipas tij ka shumë faktorë të cilët ndahen në kategori të ndryshme, por në mesin e tyre sociologu Kamberi thotë se bën pjesë edhe izolimi social.
“Së fundi, është parë një rritje e këtij fenomeni në raport me të kaluarën dhe me siguri se ka një sërë faktorësh, si faktorët intrapersonalë të cilat përfshijnë: çrregullimet e individit në kohët e fundit, pesimizmi, përdorimi i drogave dhe alkoolit, etj; faktorët socialë të cilët përfshijnë: humbjet e anëtarëve të familjes (vdekja), pastaj ndarja në familje ose divorci, izolimi social, abuzimi, etj., dhe faktorët kulturorë ose mjedisiorë që përfshijnë: stigmatizimi nga shoqëria, barrierat e ndryshme, mungesa e një integrimi gjithë shoqëror, qasja e lehtë në armët, etj”, tha Kamberi.
Sociologu thotë se pandemia COVID-19 dhe izolimi social kanë shpërfaqur simptomat depresive, humbjen e sensit të jetë të shoqërisë kosovare dhe shumë faktorë që i shtyjnë njerëzit drejt vetëvrasjes.
“Shpërfaqja COVID 19 dhe izolimi social kanë bërë që të shfaqen dukshëm edhe simptomat depresive, çrregullimet e ndryshme bio-polare, humbje të sensit të jetës, pesimizëm, stresi ekonomik ose frika që do të humbasin punën dhe kjo do të ndikon në mirëqenien e tyre sociale, si dhe shumë faktorë të tjerë të cilët janë disa nga ata faktorët që i shtyjnë njerëzit drejt fenomenit të vetëvrasjes”, tha ai.
Andaj, Kamberi vlerëson se në këtë situatë është mëse i nevojshme mjedisi social i cili sociologu thotë se krijohet përmes komunikimit në rrjete sociale.
“Konsideroj se sot është mese e nevojshme që të kemi një mjedis sa më social për secilin nga ne për shkak edhe të pandemisë dhe duke marrë parasysh faktin që ne duhet t’i respektojmë masat e ndërmarra nga institucionet e vendit, ky mjedis social mund të krijohet përmes komunikimit, rrjeteve sociale, faqeve të cilat janë të dedikuara për individët të cilët kanë probleme dhe kanë nevojë për ndihmë, shmangie të temave që lidhen ndikojnë në gjendjen tonë psikologjike dhe prishin disponimin, përkrahje morale nga familja dhe rrethi social, mbështetje financiare nga shteti, etj”, thotë Kamberi.
Pas përfundimit të pandemisë, sociologu rekomandon që institucionet e vendit të fokusohen në ndërtimin e raporteve shoqërore dhe në ri-organizimin socal, si dhe në përmirësimin e mirëqenies sociale të dëmtuar nga pandemia.
“Prandaj, pas situatës pandemike, duhet që të fokusohemi në një ri-organizim social të ri, kjo nënkupton se duhet të ndërtojmë raportet tona shoqërore, duhet një fokus më i madh i institucioneve të vendit, por edhe shoqërisë ndaj personave të cilët kanë probleme, duhet një fuqizim i kohezionit social, në mënyrë që të ketë një integrim shoqëror. Po ashtu, fokus të veçantë duhet të këtë në mirëqenien sociale për të krijuar një jetë më të mirë, për shkak se periudha e pandemisë ka krijuar një pasiguri sociale dhe ka shkaktuar një pesimizëm të thellë e cila mund të prodhojë pasoja në të ardhmen”, rekomandoi Kamberi./Gazeta Sinjali/