Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka folur rreth heqjes së vijave të kuqe ndaj subjekteve të tjera politike, duke thënë se një gjë e tillë është e domosdoshme të ndodh, sepse asnjëra nga partitë e vendit nuk po mund të marrë votat e mjaftueshme për qeverisje, andaj secili duhet të jetë i hapur me subjektet tjera politike, transmeton Gazeta Sinjali.
Mustafa në RTK ka theksuar se nuk ka përmendur asnjë subjekt politik në veçanti ndaj të cilit LDK do të heqë vijat e kuqe, por vetëm ka thënë se ato duhet të hiqen.
“Duhet të hiqen vijat e kuqe ndërmjet subjekteve politike, pasi asnjëra prej subjektet politike nuk kanë votat e mjaftueshme. Ne domosdo duhet ta respektojmë votën e qytetarëve të Kosovës për një subjekt politik. Ka pasur mjaft komente se LDK i ka hequr vijat e kuqe me PDK-në. Unë nuk e kam përmendur asnjë parti në mënyrë të veçantë, por kam thënë se duhet të hiqen vijat e kuqe. Rrethanat tani po sillen se secili prej nesh duhet të jenë të hapur me subjektet tjera politike që të mos bëjmë gara ndërmjet vete, sepse Kosova është përgjegjësi e të gjithë neve dhe jo vetëm e një subjekti politik”, është shprehur Mustafa.
I pari i LDK-së ka folur edhe pluralizimin politik për 20 vitet e fundit, si dhe e ka quajtur dobësi të të gjithë këtij procesi mospërmbushjen e premtimeve të palëve me rastin e krijimit të koalicioneve.
“Kjo ka ndodhur edhe në koalicionin e fundit me PDK-në, pasi në marrëveshjen e shkruar e kemi pasur se nuk do të ketë mocion ndaj njëra-tjetrës, por kjo ndodhi dhe LDK-ja humbi besimin për një bashkëpunim të mëtejshëm me PDK-në. LVV është më ndryshe, sepse ne e kemi paralajmëruar më herët, se nëse do të shkohet në rrezikimin e raporteve me SHBA, do ta kemi të vështirë ta mbajmë koalicionin, por ndodhi që LVV shkarkoi ministrin tonë (Agim Veliu). Nëse kjo do të ndodhte në Gjermani, edhe atje do të prishej koalicioni”, tha Mustafa.