image SBAShK-u kërkon që të lirohen dhe të paguhen 300 mësimdhënës me sëmundje të rënda

Arsim

SBAShK-u kërkon që të lirohen dhe të paguhen 300 mësimdhënës me sëmundje të rënda

news image

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), po kërkon zgjidhje për mësimdhënësit me sëmundje të rënda që ata të marrin paga dhe të lirohen nga procesi mësimor, shkruan Gazeta Sinjali.

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj.

Jasharaj tha se nga viti i kaluar, numri i mësimdhënësve me sëmundje të rënda është 300 por që këtë vit ky numër mund të jetë rritur.

Ai shtoi se vitin e kaluar është bërë një zgjidhje e përkohshme me mirëkuptim të Qeverisë.

Vitin e kaluar kishim bërë një zgjidhje falë mirëkuptimit të MAShT-it, atëherë edhe qeverisë, ky numër është thënë se është 300, por mund të ketë lëvizje të numrit, mund të jetë më i madhë, sidoqoftë ne jemi angazhuar për numrin 300 dhe kemi bërë një zgjidhje të përkohshme vitin e kaluar”, tha Jasharaj për Sinjalin.

Jasharaj më tutje tha se për këtë vit nuk është paralajmëruar për një zgjidhje për këtë çështje.

Ai tha se mësimdhënësit me sëmundje të rënda janë të obliguar të paraqiten në punë edhe pse sipas tij, MAShTI dhe drejtoritë e arsimit janë në dijeni se kontributi i tyre në procesin e arsimit është i vogël.

Për këtë vit deri në momentin kur po flasim nuk është thënë se do të bëhet një zgjidhje, pra mësimdhënësit me sëmundje të rënda për momentin janë të obliguar të paraqiten në punë edhe pse MAShT-i, drejtoritë e arsimit dhe të gjithë e dijnë se kontributi i tyre do të jetë tepër i vogël në procesin mësimor, ngase ata janë me sëmundje të rënda siç është kanceri, disa janë me hemodializë dhe sëmundje tjera kronike”.

I pyetur se nëse mësimdhënësit me këto sëmundje të rënda po dalin në vendet e tyre të punës ai u përgjigj se ata janë të detyruar dhe se mosdalja e tyre në punë ua rrezikon vendin e tyre të punës.

“Po sepse nuk ka ndonjë vendim tjetër dhe mos dalja e tyre në punë do t’iu rrezikonte vendin e tyre të punës. Ata po shkojnë në punë, sa për të ruajtur vendin e tyre të punës dhe janë të vetëdijshëm se nuk munden me kontribu as për së afërti për t’i realizuar kërkesat dhe detyrat që i kanë në procesin edukativo-arsimor”.

Në lidhje me këtë çështje, kryetari i SBAShK-ut, tha se i kanë dërguar letër kryeministrit Kurti për një zgjidhje afatgjate.

Javën e kaluar i kemi dërguar një letër kryeministrit Kurti duke e lutur se ai të vë këtë çështje në qeveri dhe mbase të gjenden mjetet që këta persona të paguhen deri në një zgjidhje afatgjate dhe në vende të tyre të angazhohen kuadrot e reja”, përfundoi ai.

Jasharaj ka folur edhe për vitin e ri shkollor, ku ka thënë se ka filluar mbarë.

Mbrëmë kemi pasur takim me kryetarë të nivelit komunal, sindikal, për të vëzhguar se si fillon viti i ri shkollor, ku është thënë se viti i ri shkollor ka filluar mbarë por, mbetet si problem kjo çështja e të sëmuarve rëndë ngase ata nganjëherë nuk mund të shkojnë në shkollë për shkak të sëmundjes, nganjëherë zëvendësohen nga kolegët e tyre, në shenjë mbështetje dhe humaniteti, por SBAShK-u kërkon që për këta njerëz të bëhet një zgjidhje, së paku e përkohshme, përderisa të përgaditet ligji i skemave pensionale, sepse po them se këta njerëz janë me sëmundje të rënda dhe vështirë mund të kontribojnë në sistemin arsimor”. /GazetaSinjali/