image 300% më shumë migrantë këtë vit në Kosovë

Siguri/ 300% më shumë migrantë këtë vit në Kosovë

news image

Fluksi i migrantëve ka prekur të gjithë Ballkanin Perëndimor e poashtu edhe vendin tonë, vetëm gjatë këtij viti në Kosovë kanë hyrë afro 1 mijë e 600 persona si migrantë.

Krahasuar me vitet paraprake numri i migrantëve është rritur për tre qind për qind (300%).

Këtë e ka bërë të ditur ministri në detyrë Ekrem Mustafa, gjatë takimit në Shkup ku është mbajtur “Forumi i ministrave për drejtësi dhe punë të brendshme të Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor”, në kuadër të kryesimit të Finlandës me Këshillin e BE-së.

“Ndryshimi i rrugëve të lëvizjeve migratore e cila ka ndikuar në rritjen e numrit të migrantëve dhe refugjatëve në Ballkanin Perëndimor është reflektuar edhe në Kosovë. Gjatë këtij viti janë 1 mijë e 600 migrantë që kanë hyrë në territorin e Kosovës apo 300 për qind më shumë se vitin e kaluar”, tha ministri Mustafa. 

Sipas të dhënave zyrtare, këtë vit në Kosovë kanë kërkuar azil rreth 800 shtetas të huaj më shumë se në vitin e kaluar. Pjesa më e madhe e tyre janë tyre janë nga Iraku, Siria, Algjeria, ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali, Ministria e Punëve të Brendshme.

“Krahasuar me vitin e kaluar, ku i kemi pasur 594 azilkërkues, në vitin 2019 i kemi 1,385,  që i bije se në vitin 2019 i kemi 791 azilkërkues më shumë se në vitin 2018”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme për Gazetën Sinjali.

Nga 1,385 persona kanë kërkuar azil gjatë 10 muajve të këtij viti, 354 prej tyre kanë qenë  nga Siria. Aktualisht në Kosovë janë duke qëndruar 217 azilkërkues të cilët vendosen kryesisht në dy objekte strehimi të dedikuara për këtë kategori, shkruan Gazeta Sinjali.

“Azilkërkuesit strehohen në Qendrën për Azil në Magurë të Lipjanit, në objektet e Qendrës për Azil në Vranidoll dhe në apartamente private. Nëse azilkërkuesit kanë mjete financiare t’i mbulojnë shpenzimet e veta në apartament privat” kanë thënë në përgjigjen e tyre Ministria e Punëve të Brendshme. 

Ndërkaq, Mustafa njoftoi se deri më tani Kosova ka pasur kapacitete të mjaftueshme për trajtimin e të gjithë migrantëve, në përputhje me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe kryerjen e procedurave të nevojshme.

Ai ka kërkuar përfshirjen e të gjitha shteteve, agjencive ndërkombëtare të zbatimit të ligjit për ta luftuar terrorizmin.

“Ekstremizmi i dhunshëm dhe terrorizmi vazhdojnë të mbesin një nga kërcënimet kryesore të sigurisë vendore dhe globale. Reagimi efikas ndaj terrorizmit kërkon përfshirjen e të gjitha shteteve, agjencive ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, shoqërisë civile por edhe qytetarëve”, tha ministri Mustafa. /Gazeta Sinjali/