Rreth 150 shtetas kosovarë do të kthehen nga Italia të dielen me 31 maj. Në mesin e të kthyerve ka shumë studentë, ndërsa njëri nga ta ka folur për Gazetën Sinjali.
Studenti i sapodiplomuar në Shkenca dhe Inxhinieri Kompjuterike në Universitetin Politekniko të Milanos, B.SH., 24- vjeçar, ka thënë se kompania ajrore “Air Prishtina” për riatdhesim është duke ua kërkuar 300 euro për biletë me vetëm një bagazh prej 20 kilogramësh, teksa për rreth 20 kilogram më shumë në bagazh, kërkojnë 70 euro shtesë, raporton Gazeta Sinjali.
Fillimisht, kjo kompani studentëve u kishte kërkuar 10 euro për çdo kilogram shtesë në bagazh, por pas ankesave nga studentët, një orë më vonë, “Air Prishtina”, studentët e njejtë i ka njoftuar për ndryshimin e çmimit, nga 10 euro për çdo kilogram shtesë, në 70 euro në total për 20 kilogram më shumë.
B.SH. për Gazetën Sinjali ka treguar se çmimi i “Air Prishtina”, kompani e kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës për riatdhesimin e shtetasve kosovarë nga Italia, është i lartë dhe se me vetëm 20 kilogram gjësende është e pamundur të kthehet.
“Çmimi fluturimit është 300€ me vetëm një bagazh 20 kg. Ne si studentë e kemi të pamundur me u zhvendos me vetëm një bagazh. Çmimi për bagazh shtesë, sipas Air Prishtina është 10€ për 1 kg, dmth për 30 kg tjera duhet të paguaj ekstra 300€. Sidoqoftë, tash na njoftuan që për 20 kilogramë më shumë në bagazh çmimi është 70 euro”, tregon B.SH.
Ai më tutje rrëfen se kjo shifër nga kompania ajrore “Air Prishtina” tejkalon çdo shifër që mund të konsiderohet normale edhe për klasë biznesi, e aq më pak për studentë.
B.SH. ka ngritur shqetësimin e tij edhe në ambasadën kosovare në Romë dhe gjithashtu është ankuar edhe në Ministrinë e Infrastrukturës, atë të Punëve të Jashtme si dhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por nga ku thotë se ende nuk ka marrë përgjigje.
“Kjo po i ngjanë sikur të gjitha humbjet e kompanisë për shkak të pandemisë po nxirren nga akti heroik i riatdhesimit të studentëve në Republikën e Kosovës. Pres që të ndermerret diçka nga shteti i Kosovës sa më shpejt”, thotë ai.
Lidhur me çmimin e biletës, Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në drejtim të kompanisë ajrore “Air Prishtina”, por nuk ka marrë ende përgjigje.
Gazeta Sinjali gjithashtu ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Infrastrukturës./ Gazeta Sinjali/