image 3 milionë gjoba, 94 mijë persona të lënduar nga aksidentet në Kosovë

Alarmante/ 3 milionë gjoba, 94 mijë persona të lënduar nga aksidentet në Kosovë

news image

Mosrespektimi i ligjit dhe rregullave në trafik, ka bërë që aksidentet rrugore të shndërrohen në një prej problemeve më serioze në Kosovë.

Vetëm gjatë muajve janar – tetor, 2019, sipas Policisë së Kosovës, janë evidentuar mbi 5 mijë aksidente me lëndime e në këto aksidente kanë mbetur afro 10 mijë persona të lënduar. Në shumicën e rasteve, sipas Policisë, fajtor është faktori njeri dhe tejkalimi i shpejtësisë së lejuar për ngasje.

“Numri me i madh i aksidenteve ka ndodhur në regjionin e Prishtinës. Kurse në bazë të rrugëve – zonave, rreth gjysma e aksidenteve janë shënuar brenda qyteteve mbi 50 %, pastaj rreth 23% në magjistrale, rreth 10% në rrugë rajonale-lokale”, ka njoftuar Policia e Kosovës për Gazetën Sinjali.

Sipas tyre shkaktarët kryesor janë pakujdesia, kalimi i shpejtësisë së paraparë, mos mbajtja e distancës në mes të veturave

“Shkaktarët kryesor të aksidenteve janë: manipulimi i pasigurt me automjet (pakujdesia), mos mbajtja e distancës, mos përshtatja e shpejtësisë ndaj kushteve te rrugës/klimatike, kyçje e pasigurt në rrugë”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Gazetën Sinjali.

Në periudhën kohore prej më pak se nëntë vitesh në Kosovë kanë ndodhur  afro 48 mijë aksidente me të lënduar e në këto aksidente kanë rezultuar  94 mijë persona të lënduar.

Autoritetet e rendit thonë se kanë shqiptuar mijëra gjoba kryesisht për shkelje të rregullave në trafik dhe tejkalim të shpejtësisë, përsëri shifrat janë alarmante.

Vetëm në periudhën kohore janar-tetor janë shqiptuar afro 37 mijë gjoba.

Ndërsa që nga viti 2011 deri në tetor të këtij viti janë shqiptaur afro 3 milionë gjoba.

Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Përkujtimit të Viktimave në Trafikun Rrugor, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, gjegjësisht Këshillin e Sigurisë në Trafikun Rrugor dhe me Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës organizuan fushata vetëdijësuese për të rinjtë, respektivisht studentët e universiteteve publike në Republikën e Kosovës.

Nënkoloneli Jeton Rexhepi, drejtor i Divizionit të Komunikacionit nga Policia e Kosovës, theksoi se 2523 persona kanë vdekur që nga pas lufta në trafikun rrugor, ndërsa këtë vit është ul shkalla e vdekshmërisë krahasuar me vitin e kaluar. /Gazeta Sinjali/