image Shpërthimi i granatës që la të vdekur një person, 3 mijë euro gjobë ndaj të akuzuarit

Drejtësi

Shpërthimi i granatës që la të vdekur një person, 3 mijë euro gjobë ndaj të akuzuarit

news image

Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me 3 mijë euro gjobë, të akuzuarin Genc Rushiti, lidhur më akuzën se në vitin 2008 si pasojë e pakujdesisë së tij ka ardhur deri tek shpërthimi i një granate, meqë rast ka mbetur i vdekur B.S.

Aktgjykimin në fjalë u shpall të hënën, nga gjykatësi Sabit Sadikaj. Sipas aktgjykimit, i akuzuari Rushiti fillimisht u dënua me 6 muaj burgim, i cili dënim iu zëvendësua me dënim me gjobë në shumën prej 3 mijë euro.

I njëjti është obliguar që të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë shumën prej 20 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.

Paraprakisht, Rushiti kishte bërë pranimin e fajësisë lidhur me veprën penale me të cilën ngarkohej nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë në nëntor të vitit 2016 ndaj të akuzuarit Genc Rushiti, i cili në cilësinë e pronarit të ndërmarrjes “G Plus” nga pakujdesia ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm, duke mos u përkujdesur mjaftueshëm me rastin e pranimit të hekurave në deponinë e tij.

Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, ka ardhur deri tek shpërthimi i një granate në grumbullin e atyre hekurave, me ç’rast lëndime vdekjeprurëse ka pësuar tani i ndjeri B.S, i cili ka qenë i punësuar në atë ndërmarrje dhe gjatë klasifikimit të hekurave ka ardhur deri tek ai shpërthim.

Me këtë, i njëjti akuzohej se ka kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 291, par.6 lidhur me par.4 dhe par.1 të Kodit Penal.

/GazetaSinjali/