image 3 arsye pse nuk duhet të gënjeni në intervista të punës

Këshilla

3 arsye pse nuk duhet të gënjeni në intervista të punës

news image

Përtej vrasjes së ndërgjegjes dhe pandershmërisë, gënjeshtrat në intervistat e punës kanë pasoja afatgjata që mund t’ju përcjellin për shumë kohë. Mund ta fitoni një vend pune dhe pa gënjyer, sepse vetë dëshira për të punuar herët e vonë do t’ju shpërblehet. Prandaj, të gënjyerit gjatë intervistave të punës nuk është asnjëherë ide e mirë.

Pse kandidatët gënjejnë?

Janë një numër arsyesh që i shtyjnë kandidatët që të gënjejnë në intervistën e punës, disa më të lehta e disa më të rënda, por në fund të fundit gënjeshtra mbeten.

Për ta fituar simpatinë e panelit ose punëdhënësit

Disa kandidatë gënjejnë në lidhje me arritjet e tyre, në mënyrë që ta fitojnë respektin e intervistuesve. Shembull, dikush mund të thotë: “Në kohën sa isha menaxher në X kompaninë, kompania pati kursyer prej 80%, e të mos flasim për gjenerimin e të ardhurave.”

Ata tentojnë që të paraqesin një tregim të pavërtetë në lidhje me atë se sa shumë kanë dhënë rezultate në punën e kaluar dhe të njëjtën do ta bëjnë edhe në këtë kompani. Qëllimi i tyre është që t’i “hipnotizojnë” rekruterët dhe t’i punësojnë.

Për t’i justifikuar hendeqet e gjata në CV

Ka disa kandidatë që për kohë të gjata nuk kanë qenë të punësuar dhe kjo normalisht që ju shfaqet në CV. Nganjëherë këto pauza janë aq të gjata sa ua tërheqin vëmendjen edhe të intervistuesve. E, për ta arsyetuar këtë, kandidatët përpiqen të gënjejnë rreth kësaj kohe.

Disa njerëz thonë që janë kujdesur për dikë të sëmurë në shtëpi, disa të tjerë thonë që kanë bërë diçka vullnetare. Nuk duhet që të gënjeni as për këtë, veçanërisht nëse e keni lënë për arsye personale. Në fakt, nuk preferohet as që të shpjegohet në detaje arsyeja. Thjesht thoni që keni bërë pushim për arsye personale.

Gënjeni që dini kur në të vërtetë nuk i dini

Kjo ndodhë sidomos për rolet teknike. Kur intervistuesit i pyesin disa kandidatë në lidhje me disa detyra a do të jenë në gjendje t’i bëjnë, këta të fundit menjëherë e pohojnë dhe thonë që janë në gjendje ta bëjnë. Por e vërteta është ndryshe, sepse ata duan thjesht ta fitojnë atë vend pune.

Mbase e keni dëgjuar shprehjen që nuk duhet të thoni asnjëherë që nuk dini të bëni diçka, por mendoni për pasojat, nëse rekruteri e kupton që patët gënjyer! Më e pakta është që mund ta humbisni atë vend pune. Nuk është turp që të thoni se nuk dini të bëni diçka, në vend të kësaj pse të mos thoni që e keni aftësinë t’i mësoni gjërat shpejt dhe jeni shumë të interesuar për gjëra të reja?

Pse nuk duhet të gënjeni?

Mund të mos i arrini pritshmëritë e punëdhënësit

Mund ta fitoni një pozitë, sepse i keni bindur intervistuesit që jeni plotësisht i përgatitur dhe gati për t’i bërë të gjitha. Punëdhënësi në këtë rast pret që të keni paraqitje të shkëlqyeshme, sepse kështu i keni thënë edhe vet. Por, në momentin që punët ju janë lëshuar në dorë gjërat kanë ndryshuar, nuk keni qenë në gjendje t’i kryeni detyrat edhe atë mezi me ndihmën e dikujt.

Pasojat janë që punëdhënësi do ta kuptojë që keni shumë mangësi e do të ndihet i mashtruar.

Shfaqni mungesë të vetëbesimit

Gënjejnë ata persona që nuk janë të sigurt në atë që mund të ofrojnë. Nëse vërtet besoni në veten dhe kapacitetin që e keni ndërtuar gjatë kohës, nuk keni asgjë për të fshehur. Sepse, për shumë vite me radhë keni mësuar nga përvoja dhe gabimet. Kjo do të thotë që keni hulumtuar aq shumë në atë fushë që e mbuloni sa që jeni bërë mjeshtër të asaj fushe.

Dështoni në kontrollin e historikut tuaj

Kompanitë nuk e kanë pasur asnjëherë më të lehtë që të që t’i kontrollojnë pohimet e kandidatëve nëse janë të vërteta. Me një numër kaq të madh rrjetesh sociale, është pothuajse e pamundur që një punonjës të fshihet plotësisht.

Plus, që nuk duhet ta harroni asnjëherë që punëdhënësit mund të kenë miq në kompanitë e ndryshme të vendit dhe mund të marrin informacione nga ta, shkruan Akademi Pune.

Sipas Wall Street Journal, 34% e aplikantëve gënjejnë rreth përvojës, edukimi dhe aftësisë për të përformuar në funksionet esenciale.

Si përfundim, sinqeriteti do të vlerësohet përherë. Nëse me të nuk e fitoni një vend pune, në punën e radhës do të jeni në gjendje të qëndroni pa frikë dhe më një gatishmëri të madh që të ndihmoheni për gjërat që keni pranuar që nuk i dini./GazetaSinjali/