Një shqiptar nga Kosova është gjendur i vdekur në një burg të Britanisë.
Liridon Saliuka, 29 vjeçar, për më shumë se 20 vite jetonte me familje në Londër.
Ai është gjendur i vdekur më 2 janar 2020 në qelinë e tij, në burgun e sigurisë së lartë në Belmarsh.
Tashmë është hapur një hetim zyrtar për vdekjen e tij.
Autoritetet britanike e kanë konsideruar si vetëvrasje, por familja e tij vë në dyshime vonesën e rezultateve të obduksionit, dhe nuk pajtohen me to.
Saliuka, jetonte në qytetin Harrow në veri-perëndim të Londrës, dhe ishte në paraburgim që nga vera e kaluar kur u arrestua dhe u akuzua për vrasje në një klub në lindje të Londrës.
Ai e kishte mohuar se ishte përfshirë në atë rast.
Motra e Liridonit, Dita, i ka thënë prestigjiozes The Guardian se autopsia e tij nuk ishte kryer ende në mënyrë që familja ta shikonte trupin.
Liridoni, dy vite më parë kishte pësuar aksident të rëndë me veturë, dhe i ishin ngjitur pllaka metalike në trup, duke ia vështirësuar, ecjen ose qëndrimin në këmbë në periudha të gjata.
Motra e tij kishte shprehur shqetësimin rreth gjendjes së tij në burg, pasi kishte folur më të për kushtet brenda burgut përfshirë rrezikun për jetë, duke thënë se po kërcënohet./Gazeta Sinjali/