Një shqiptar në SHBA, që donte të bëhej pjesë e ISIS-it në njësitin për prerje kokash, e që veten e quante “Dentist” derisa mblidhte thika dhe sharra xhepi në banesën e tij në Bronks, është dënuar me 22 vjet burgim të premten.
“Ju jeni një bombë e kurdisur”, i ka thënë gjykatësi federal i Manhatanit, Paul Engelmayer, Sajmir Alimehmetit para se të bënte publik dënimin ndaj tij, pas akuzave për ofrim të mbështetjes materiale ndaj ISIS-it dhe për mashtrim me pasaportë, raporton “New York Post”.
I pandehuri, tani 26 vjeçar, nisi të grumbullonte armë në apartamentin e tij në Bronks pasi ishte ndaluar dy herë në aeroportet britanike gjatë rrugës për në Siri më 2014.
Engelmayer paraqiti listën e frikshme të municionit të Alimehmetit, përfshirë një thikë ushtarake për mbijetesë, tri thika taktike, dy thika të vogla palosëse, një sharrë xhepi të komandove, një sharrë tjetër, një çantë shpine për luftë taktike, një maskë taktike skijimi dhe pranga.
Prokurori Emil Bove tregoi se si Alimehemti kishte rrëfyer para agjentëve të fshehtë për dëshirën e tij për të kryer prerje kokash në emër të ISIS-it.
Ndonëse nuk dihet përse Alimehmeti i referohej vetes online si “Dentisti”, ai përdorte gjuhë të koduar për vendet që do të udhëtonte në mënyrë që të “pastronte dhëmbët”, thuhet në dokumentet gjyqësore.
Ai po ashtu u kishte thënë agjentëve të fshehtë se kishte shikuar video të prerjes së kokave për ta mbajtur veten të motivuar gjatë ushtrimeve, thanë prokurorët.
Avokatja mbrojtëse, Susan Kellman, tha se klienti i saj e ka pasur të vështirë të ambientohet pasi ishte vendosur në SHBA në moshën 6 vjeçare nga Shqipëria dhe ishte radikalizuar si adoleshent gjatë një sulmi për plaçkitjeje në Qendrën Korrektuese Fishkill nga Mohamed Mamdouhi, një nga organizatorët kryesorë prapa komplotit të dështuar për të çuar në ajër sinagogën e Manhatanit më 2011.
Pasi u arrestua herën e fundit më 2016 dhe derisa po qëndronte i burgosur në Qendrën Korrektuese Metropolitane, Alimehmeti ishte shoqëruar me një terrorist tjetër të mirënjohur – i dënuar me nofkën “Bombarduesi i Chelseat”, Ahmad Rahimi.
Dyshja më vonë u desh të ndaheshin pasi donin të shpërndanin material propagandues të ISIS-it për të burgosurit tjerë.
Almehmeti më në fund pranoi fajësinë më 2018, duke pranuar se ka gënjyer gjatë aplikimit për pasaportë dhe për ofrim të mbështetjes materiale për ISIS-in, transmeton Koha.net.
Kellman e përshkroi klientin e saj si “të ri, të hutuar, armiqësor, të izoluar dhe në kërkim të një vendi” kur ishte joshur nga ISIS-i dhe nga ideologjia radikale. Ajo vuri re se, pavarësisht armëve, në shtëpinë e Alimehmeti nuk është gjetur asnjë plan për ndonjë sulm terrorist.
Ajo shtoi se klienti i saj ishte aq i vetmuar sa që dy agjentët e infiltruar të përfshirë në rast ishin të vetmit njerëz që ai i kishte ftuar si dëshmitarë në dasmën e tij.
Alimehmeti nuk pranoi të fliste të premten, por nga gjykata doli me një buzëqeshje të madhe në fytyrën e tij.