image MSh sqaron se pse vdekja e 22- vjeçares nga COVID-19 nuk u përfshi në raportin e sotëm

Shëndetësi

MSh sqaron se pse vdekja e 22- vjeçares nga COVID-19 nuk u përfshi në raportin e sotëm

news image

Gjatë mëngjesit të sotëm një 22-vjeçare nga Gjilani ka humbur jetën si pasojë e infektimit me COVID-19 në QKUK, por vdekja e saj nuk është përfshirë në raportin e fundit 24 orësh të Ministrisë së Shëndetësisë, raporton Gazeta Sinjali.

Për vdekjen e 22-vjeçares gjatë orëve të paraditës e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, drejtori klinik i Spitalit të Gjilanit, Ukshin Ismajli, i cili tha se 22-vjeçarja fillimisht ka kërkuar ndihmë në Spitalin e Gjilanit, por për shkak të gjendjes së saj e njëjta është dërguar në QKUK.

Po fatkeqësisht ka humbur jetën një 22 vjeçare që fillimisht ka qenë e pranuar te ne, por për shkak të situatës së saj është dërguar për në Prishtinë, në QKUK dhe sot ka ndërruar jetë atje”, ka thënë Ismajli për Gazetën Sinjali.

Mirëpo, nga Ministria e Shëndetësisë kanë sqaruar për Gazetën Sinjali se pse kjo vdekje nuk është përfshirë në raportin e publikuar sot në orën 15:00.

Sipas kësaj ministrie, raporti 24 orësh që publikohet pasdite, ndonëse publikohet pasdite, përfshin vetëm të dhënat e një dite më parë, deri në orën 00:00.

“Të dhënat e prezantuara paraqesin ato që kanë ndodhur ditën paraprake, deri në ora 24:00. Ato pas orës 24:00, raportohen në 24-orësh e radhës, që i bjen sot (8 shtator), në ora 15:00”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie për Sinjalin./GazetaSinjali/