Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se pavarësisht krizës energjetike, nuk do të ketë rritje të çmimit apo kufizime me furnizim.
Ai prezantoi një plan me 3 pika për përballimin e krizës, për të cilën është parashikuar një fond prej 200 milionë eurosh.
Kryeministri tha se do të akordohen 100 milionë euro për OSHEE në fund të këtij viti dhe 100 milionë euro vitin tjetër për të siguruar pikën 1 dhe pikën 2 të planit.
“30 vite më parë ne zgjodhëm që shteti të mos ishte zoti mbi tokë, dhe njeriu i del zot vetes. Por detyra jonë është të jemi shoku i mirë në ditë të vështira atyre që nuk i përballojnë dot sfidat e vështira të jetës. Kjo është për ne një krizë që në aspektin financiar mund të jetë edhe më sfiduese sesa pandemia. Plani ynë i kundërveprimit nuk parashikon rritjen e çmimit të energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël dhe as parashikon kufizim furnizimesh me energji në shkallë vendi. Qeveria po përgatitet për konsultim kombëtar për të dëgjuar mendimin tuaj për këtë çështje”, tha Rama.
Plani me tri pika i prezantuar nga kryeministri Edi Rama:
1. Garantimi i furnizimit pa ndërprerje për të gjithë;
2. Mbrojtja e familjeve dhe biznesit të vogël nga rritja e çmimeve;
3. Garantimi i fondit të nevojshëm likuid për ndërveprimin me operatorët ndërkombëtarë.